Maqedoni
Lëshohet në përdorim çerdhja “Foleja” në Tearcë
05.10.2026 15:15
Pas vitesh pritjeje, kërkesash dhe procedurash, më në fund janë hapur dyert e çerdhes “Foleja” në Përshefc të Komunës së Tearcës...

Pas vitesh pritjeje, kërkesash dhe procedurash, më në fund janë hapur dyert e çerdhes “Foleja” në Përshefc të Komunës së Tearcës. Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, tha se hapja e çerdhes shënon një ditë të rëndësishme për fëmijët dhe familjet e kësaj komune.
“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të hapur një objekt, por për të hapur një derë të re për fëmijët, dhe sot po hapim çerdhen “Foleja”. Pas shumë vitesh pritjeje, pas shumë kërkesash, procedurash dhe zvarritjesh, më në fund kjo ditë erdhi. Kjo çerdhe nuk është thjesht një ndërtesë, por një hapësirë ku do të rriten fëmijët tanë, ku do të hedhin hapat e parë drejt dijes, do të krijojnë miqësitë e para dhe do të dëgjohen të qeshurat e fëmijëve.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.
Hapja e këtij objekti, sipas Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, është pjesë e planit për rritjen e kapaciteteve parashkollore në vend.
“Vërtet është kënaqësi që sot këtë objekt të ri në Tearcë, institucionin e ri publik për mbrojtjen e fëmijëve, ta hapim edhe zyrtarisht. Ky trend i hapjes së çerdheve, të cilin e paralajmëruam që në ditën e parë të Qeverisë së re, do të vazhdojë edhe më tej. Deri në vitin 2028, 37 çerdhe do të jenë tërësisht të hapura dhe në funksion të qytetarëve. Kjo do të thotë se më shumë se 37 mijë fëmijë do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.”, - theksoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Velkovski.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi hapjen e çerdhes si një projekt me rëndësi jo vetëm për Tearcën, por edhe për rajonin e Pollogut.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot, së bashku me kolegët nga Qeveria, kryetarin e Komunës së Tearcës dhe qytetarët, jemi dëshmitarë të vënies në funksion të një objekti shumë të rëndësishëm për këtë komunë, por edhe me rëndësi rajonale. Me vënien në funksion të këtij objekti nuk kemi më listë pritjeje. 147 fëmijë do të mund të rriten, të shoqërohen dhe t’i kalojnë vitet e tyre të fëmijërisë në këtë objekt të mrekullueshëm dhe energjetikisht efikas.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Përndryshe, objekti është financuar përmes fondeve IPA të Komisionit Evropian dhe kap vlerën e mbi 808 mijë euro, ndërsa komuna ka investuar rreth 165 mijë euro. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, dhe shumë funksionarë të pushtetit lokal e qendror.
VISAR SADIKI
