Oda Ekonomike, propozim për shkurtimin e numrit të festave

05.10.2026 15:41

Oda Ekonomike do t’i propozojë Ministrisë së Ekonomisë ndryshime në Ligjin për Festat....

Oda Ekonomike do t’i propozojë Ministrisë së Ekonomisë ndryshime në Ligjin për Festat. Me qëllim të optimizimit të numrit të ditëve jo pune dhe rritjen e produktivitetit dhe efikasitetit ekonomik, propozimi parasheh reduktim të festave në vitin kalendarik. Propozimi parasheh zvogëlimin e ditëve jo pune në 13, ndërsa festat që bien të dielën të mos transferohen të hënën. Nga Oda Ekonomike theksuan se propozimi nuk parashikon heqjen e festave ekzistuese, por më tepër një rishikim të së drejtës për të përdorur ditët jo pune.

 
“Propozimi ynë nuk do të jetë fshirja ose heqja e festave specifike, por më tepër rishikimi i të drejtave që rrjedhin nga festat e përcaktuara në këtë mënyrë në kurriz të kërkesës për heqjen e festimit të disa prej festave. Edhe tani, ky sistem mund të trajtohet si një sistem që nuk është në përputhje me Kushtetutën, sepse në një farë mënyre i vë qytetarët që i përkasin grupeve të ndryshme në një pozicion të pabarabartë. Nëse ndjekim këtë logjikë, anëtarët e komunitetit serb ose komunitetit vllah, nëse janë ortodoksë, kanë numrin më të madh të ditëve jo pune - 11 për të gjithë, pesë që vlejnë për anëtarët e besimit ortodoks dhe ditë shtesë që vlejnë për komunitetin etnik specifik. Në kurriz të, të themi, një anëtari të besimit islam, i cili ka më pak ditë të planifikuara për festim në lidhje me festa të tilla fetare.”, - deklaroi Aneta Dimovska nga Oda Ekonomike. 
 
LSM dhe KSL kundër shkurtimit të numrit të festave
 
Nga sindikatat theksojnë se propozimi duhet të kalojë edhe në këshillin ekonomik dhe social. Me propozimin e Odës nuk pajtohen nga Lidhja e Sindikatave dhe Konfederata e sindikatave të lira.
 
“Sa nga shefat i keni parë të dielave në punë  dhe ju si mediume i keni parë apo kanë ardhur në punë në krishtlindje apo gjatë Buzmit, apo më 23 tetor ose 11 tetor ose do të vijnë në këto ditë. Shefat jetojnë, ata shkojnë në pushim në vikend të zgjatur në vila luksoze me veturat e tyre luksoze.”, - theksoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
 
“Këtë që po e propozojnë për punëtorët është e papranueshme, sepse punëtori ato ditë të lira i kalon me familje. Tani dikush thotë se punëtorët i kanë shfrytëzuar jashtë shtetit. Unë u propozoj kur të ketë festë të shkojmë tek kufiri të shohim kush del jashtë shtetit.”, - theksoi Marjan Risteski nga Konfederata e Sindikatave të RMV-së. 
 
Sipas propozimit të Odës Ekonomike do të mbeten 11 festa shtetërore, ndërsa nga festat e tjera fetare ose ditët e komuniteteve, punëtorët do të mund të zgjedhin tri festa që do t’i festojnë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI