Mickoski: Qeveria po përgatit ribalanc të buxhetit

05.10.2026 15:43

Qeveria po përgatitet që gjatë këtij muaji t’i dërgojë Kuvendit propozim ribalancin e ri...

Qeveria po përgatitet që gjatë këtij muaji t’i dërgojë Kuvendit propozim ribalancin e ri, pasi, siç bën të ditur kryeministri Hristijan Mickoski, është krijuar një boshllëk financiar prej rreth 5 miliardë denarësh. Nëse i shtohet edhe ulja e TVSh-së për dizelin që është realizuar, buxheti i shtetit do të ketë një boshllëk financiar diku me rreth 7 ose 8 miliardë denarë, dhe një gjë e  tillë nuk mund të mbulohet ndryshe përpos se me ribalanc të buxhetit, ka thënë kryeministri.
 
“Do të ulen edhe shpenzimet, por edhe të ardhurat, sepse tek të ardhurat kemi rreth 7 apo 8 miliardë denarë, dhe kjo është rezultat i uljes së akcizave për derivatet e naftës, dhe ulja e të ardhurave nga zvogëlimi i TVSh-së. Por, ky shkurtim nuk do të reflektohet tek ekonomia e vendit. Pra, edhe përskaj kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim projektet të cilat vijnë nga komunat. Qeveria tash i ka bërë plot 28 muaj që kur është themeluar, dhe deri më tani në drejtim të komunave kemi rialokuar nga buxheti qendror më shumë se gjysmë miliard euro, dhe ky trend do të vazhdojë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Mickoski të japë llogari për boshllëkun financiar
 
Por, për liderin e opozitës maqedonase Venko Filipçe, kryeministri Mickoski duhet të japë llogari për boshllëkun financiar në vlerë prej 130 milion eurosh. 
 
“Të ardhurat nga TVSh-ja dhe akcizat e derivateve të naftës gjatë vitit të kaluar ishin diku rreth 500 milionë euro, që nënkupton se plot tre muaj nuk duhet të ketë të ardhura nga TVSh-ja dhe akcizat që të arrimë në këto 130 milionë euro, që tregon se nuk është e vërtetë. Edhe me uljen e TVSh-së dhe akcizave, çmimet e derivateve janë rritur, kjo tregon se buxheti i shtetit është planifikuar dhe menaxhuar keq. Tani në opsion ju kanë mbetur vetëm të marrin borxhe të reja, sepse në buxhetin e shtetit mungojnë miliarda euro.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
Nga LSDM-ja kanë akuzuar se qeverisja e Mickoskit dhe e VMRO-DPMNE-së i kanë sjellë vendit vetëm dështim ekonomik, kolaps financiar dhe varfërim për qytetarët. Sipas tyre, për këto dy vjet e gjysmë në pushtet të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, vendi ka përjetuar rënie ekonomike, standard më të keq jetese, një ekonomi të shkatërruar, borxhe të reja dhe një rrugë të bllokuar evropiane. Sipas tyre, 5.53 milionë euro para të qytetarëve u ndanë për një DJ, 200 milionë euro në skandale tenderësh, shporta konsumatore arrin në mbi 90.000 denarë, punëtorët në vend kanë pagat më të ulëta në Evropë, nuk ka para për pagën minimale prej 600 eurosh, subvencionet për fermerët janë ulur me 40 milionë euro, borxhi publik u rritë për 4 miliardë euro, Investimet e huaja janë më të ulëtat në histori, vetëm 18.7 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2026.
 
FITIM KRYEZIU