Mickoski: Pritet intensifikimi i eurointegrimeve
05.10.2026 15:43
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e ka bërë një kërkesë për takim me autoritetet bullgare...

Pas këshillës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që autoritetet e vendit të kërkojnë takim me autoritetet bullgare, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e ka bërë një kërkesë të tillë dhe është në pritje të përgjigjes nga pala bullgare. Mickoski njëherësh paralajmëroi intensifikimin e procesit eurointegrues.
“Mora këshillë nga kryetarja e Komisionit Evropian të cilën e pranova, i kërkova ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme që të kërkojë takim. Ai e bëri këtë; ende nuk kemi përgjigje. Pasi të marrim përgjigje, atëherë do të mund të komentojmë më shumë…Unë pres që në periudhën që vjen të gjithë ne ta intensifikojmë këtë proces dhe të gjejmë zgjidhje nga situata në të cilën ndodhemi.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
LSDM: Rruga evropiane është bllokuar
Por, LSDM-ja opozitare ka kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin
“Detyrë e ministrit të Jashtëm është të takohet, para së gjithash, me vendet fqinje t’i përmirësojë marrëdhëniet ndërfqinjësore. Është pasuria jonë që kemi dy vende anëtare të BE-së. Deri më tani duhej të kemi dhjetëra takime me Greqinë dhe Bullgarinë. Ata qëllimisht i përkeqësuan dhe ashpërsuan marrëdhëniet. Çfarë do të bëjë Timço tani, do të gjunjëzohet?! Do ta kthej shpinën.?! Çfarë do të bëjë në Bullgari? Pse duhet të shkohet në Bullgari kur ne kemi punë me Brukselin rreth temës. Pse duan ta bëjnë temën dypalëshe kur nuk është, ashtu siç ata dëshironin ta paraqisnin. Lë të shkojë, atë e ka punë, por pyetja është pse nuk ishte deri më tani dhe çka duhet të pritet nga ai takim? Unë ju them se nuk pres asgjë, gjithçka është arsyetim, këta njerëz nuk dëshirojnë të shkojmë në Evropë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas LSDM-së, Maqedonisë nuk i duhet izolimi. I duhen reforma, standarde evropiane, sundim i ligjit dhe një jetë më e mirë për të gjithë.
FITORE NAGAVCI
