Botë
Danimarkë, sulm i madh kibernetik, miliona të dhëna personale në duart e hakerëve
05.10.2026 15:49
Një sulm i madh kibernetik ka tronditur Danimarkën...

Një sulm i madh kibernetik ka tronditur Danimarkën, pasi hakerët kanë siguruar qasje në regjistrin kombëtar të popullsisë dhe kanë ekspozuar të dhënat personale të rreth 8.8 milionë personave. Në mesin e të dhënave të komprometuara janë emrat, adresat dhe numrat personalë të identifikimit, të ngjashëm me numrat e sigurimeve shoqërore. Në regjistër ndodhen edhe të dhëna për persona që kanë ndërruar jetë ose janë larguar nga Danimarka. Sipas autoriteteve, sulmuesit kanë keqpërdorur qasjen e ligjshme që një kompani daneze kishte për të kërkuar të dhëna në Regjistrin Qendror të Personave. Ministria e Shkencës, Arsimit dhe Digjitalizimit e cilësoi rastin si “jashtëzakonisht serioz”.
“Së bashku me të gjitha autoritetet përkatëse, po punojmë për të përcaktuar përmasat e plota të incidentit. Tashmë kemi ndërmarrë masa lidhur me Regjistrin Qendror të Personave - CPR-në, të cilat synojnë të parandalojnë incidente të ngjashme. Gjithashtu, kam kërkuar që të kryhet një rishikim i plotë i sigurisë së sistemit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm tani dhe në periudhën e ardhshme dhe të informohen për masat e sigurisë digjitale.”, - deklaroi ministrja e Shkencës, Arsimit dhe Digjitalizimit, Christina Egelund.
Pas zbulimit të incidentit, administrata e Regjistrit Qendror të Personave-CPR, ia ka revokuar kompanisë qasjen në sistem dhe e ka raportuar rastin te Agjencia Daneze për Mbrojtjen e të Dhënave. Autoritetet punojnë për të përcaktuar përmasat e plota të shkeljes dhe se si janë përdorur të dhënat e marra. Një kontroll i kryer nga autoritetet ka treguar se qasja e paautorizuar nuk përfshiu emrat dhe adresat e personave që janë të regjistruar me mbrojtje të veçantë të emrit dhe adresës.
“Policia ka për detyrë të mbledhë gjurmët dhe provat, dhe kjo është ajo që po bëjmë tani. Bëhet fjalë për gjurmë digjitale, dhe gjurmët digjitale janë të vështira për t’u gjurmuar. Prandaj, gjatë fundjavës kemi ndërmarrë masa të mëdha për ruajtjen e të dhënave që i konsiderojmë me vlerë dhe që na nevojiten për hetimin e mëtejshëm.”, - theksoi ushtruesi i detyrës së shefit të Policisë në NSK, Nicklas Fallesen.
Hetimi për sulmin kibernetik vazhdon, ndërsa autoritetet daneze po përpiqen të përcaktojnë se kush qëndron pas qasjes së paautorizuar dhe deri në çfarë mase janë komprometuar të dhënat personale.
FARIJE DAUTI BAKIU
