Botë

Ndryshimet në Ligjin për Specialen, Kuvendi i Kosovës miratoi leximin e parë

05.10.2026 16:07

Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin...

Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
 
Projektligji u propozua nga PDK-ja, ndërsa kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, tha se çështja e Dhomave të Specializuara i tejkalon përmasat e një partie politike dhe mandatet e një apo disa qeverive, prandaj kërkoi që ai të votohet nga të gjithë deputetët.
 
“Nuk po e mbyllim gjykatën. Për atë çka e kemi votuar, le të hetojë. Po kërkojmë mbikëqyrje. Po kërkojmë llogaridhënie. Po kërkojmë zbatim të ligjeve.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
 
Lëvizja Vetëvendosje votoi për, por paraprakisht kryeministri Albin Kurti tha se çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara do të duhej të trajtohet me kujdes dhe jo me nguti. Kurti tha se veprime të ngutshme ishin bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur u votua krijimi i Dhomave të Specializuara, të cilat aso kohe u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje.
 
“Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale që në fillim, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot. Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë besimin tuaj.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.                           
                                           
Lidhja Demokratike e Kosovës u deklarua se nuk e mbështet nismën për ndryshimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Përgjegjësia individuale nuk duhet të shndërrohet në fajësi kolektive dhe se karakteri çlirimtar i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohet, theksuan nga LDK-ja.
 
“Për LDK-në, rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parapara me ligj. Çdo pretendim për gabime, padrejtësi apo shkelje në proces duhet të argumentohet dhe të shqyrtohet nga instancat kompetente. Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë, brenda përgjegjësive të tyre ligjore, mbështetjen e nevojshme për një mbrojtje profesionale dhe efektive.”, - theksoi Jehona Lushtaku Sadriu nga LDK.     
                                                             
Projektligji u mbështet edhe nga Aleanca. Por, derisa mbahej seanca kuvendore para Kuvendit vazhdon protesta. Protestuesit kohë pas kohe hodhën fishekzjarrë, ndërsa nuk munguan edhe momentet e tensionuara. 
 
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje protestuesve që po qëndrojnë para Kuvendit që të ruajnë qetësinë dhe karakterin paqësor të protestës.
 
“Nga kjo foltore, nga ky vend, nga ky institucion, si kryetare e Kuvendit dhe si u.d. presidente, i bëj thirrje të gjithë protestuesve që ta ruajnë karakterin paqësor të protestës, sepse besoj të gjithë pajtohemi dhuna e dëmton kauzën që të gjithë duam ta mbrojmë, atë të UÇK-së, por edhe atë të çlirimtarëve tanë.”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
 
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar pritet të kthehet në votim të dytë pas shqyrtimit në komisionet kuvendore.
 
Por, kjo duhet të ndodhë më së voni deri nesër në mesnatë, deri kur ka afat që Kuvendi i Kosovës ta zgjedhë edhe presidentin e ri të shtetit, në të kundërtën Kuvendi do të shpërbëhet dhe Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.   
 
GYLTENE SINANI