Maqedoni
Kumanovë, një delegacion qeveritar inspekton punimet në objektin e ri të ShMK “Sami Frashëri”
05.10.2026 16:25
Gjatë ditës së sotme, një delegacion qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut...

Gjatë ditës së sotme, një delegacion qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut zhvilloi një inspektim të punimeve në objektin e ri, aktualisht në ndërtim, të Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë.
Bëhet fjalë për një objekt të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të punës për mësimdhënësit, si dhe në krijimin e një ambienti më të përshtatshëm dhe funksional për nxënësit.
“Mund lirisht të them se kjo është, sipas asaj që pamë, shkolla më e mirë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas standardeve, sipas kushteve dhe nga të gjitha parashikimet që kemi bërë, punimet dhe gjithë pjesët e punimeve pritet të përfundojnë maksimumi në muajin qershor dhe mund të them lirisht se nxënësit do të fillojnë vitin e ri shkollor 2027 në objektin e ri të kompletuar ashtu si duhet.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencave, Driton Sulejmani.
“Gjenerata e re e gjimnazistëve të Kumanovës do ta përjetojë këtë objekt që në fakt edhe ka qenë ëndërr e brezit tonë, brezit tim dhe të gjithë këtyre këtu që janë kolegët e tonë nga pushteti qendror dhe nga pushteti lokal. Është dashur para 20 vitesh dhe kryhet kjo, se në qoftë se dikush e ka harruar Kumanovën, ne po e rikthejmë në qendër të vëmendjes të Qeverisë në aspektin e zhvillimit, jo vetëm të arsimit.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë së RMV-së, Venera Azizi.
“Ne kaherë presim një objekt pas shumë premtimesh. Tani erdhi radha që edhe të finalizohet, kështu që ne jemi shumë të kënaqur me këtë objekt që po e shohim dhe në këtë fazë.”, - u shpreh drejtori i ShMK “Sami Frashëri”, Kumanovë, Nagri Rexhepi.
“Mund të them se jam jashtëzakonisht i kënaqur me realizimin e projektit, i cili është 100% sikurse është projektuar.”, - theksoi arkitekti, projektuesi i objektit, Skender Osmani.
Investime të tilla janë një hap i rëndësishëm drejt krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor dhe për një të ardhme më të mirë për brezat e rinj. Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë do të jetë një hapësirë moderne, e cila synon të ofrojë kushte dinjitoze për mësim, punë dhe zhvillim të komunitetit arsimor.
FATLUM AQIFI
