Maqedoni
Zbulime arkeologjike, Koroishta e Strugës ndër arkeologjitë botërore
05.10.2026 16:43
Zbulime të jashtëzakonshme janë gjetur në Koroishtë të Strugës...

Zbulime të jashtëzakonshme janë gjetur në Koroishtë të Strugës, duke i dhënë këtij vendi hapësirë të rëndësishme në hartën arkeologjike të rajonit dhe më gjerë. Kërkimet janë kryer gjatë këtij viti në lokalitetin Rasnica, ku historikisht thuhet se ka jetuar fisi i lashtë ilir Enkelejt.
Lokaliteti i cili tashmë shquhet si një nekropol i periudhës arkaike, daton nga shekulli VI para erës sonë. Arkeologët kanë zbuluar një varrim të pasur ushtarak me pajisje të kompletuara luftarake, ku janë gjetur mburojë, helmetë, shtiza, shpatë, si dhe objekte të tjera prej ari, bronzi, qelibari dhe materialesh të tjera.
Zbulimi i ri është veçanërisht i rëndësishëm sepse ofron të dhëna të reja për ritualet e varrimit, strukturën shoqërore dhe ushtarake, si dhe elitën që ka jetuar në rajonin e Ohrit dhe Strugës gjatë shekullit VI para erës sonë.
Lokaliteti Rasnica tërhoqi vëmendjen e opinionit në vitin 2024, kur u zbulua një kompleks monumental varri me materiale të jashtëzakonshme arkeologjike, përfshirë helmetë bronzi me aplikime ari, mburojë bronzi, objekte dhe stoli prej ari, rruaza qelibari e qelqi, gjilpëra argjendi, kantharos dhe enë bronzi.
Me zbulimet e reja, tashmë konfirmohet se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për një nekropol të rëndësishëm arkaik, i cili hap mundësi të reja për kërkime dhe studime të mëtejshme shkencore.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, e ka cilësuar zbulimin si një ngjarje me rëndësi të veçantë për Strugën dhe trashëgiminë kulturore të saj.
Sipas ekipit arkeologjik, kërkimet e vazhdueshme në Koroishtë mund të sjellin të dhëna të reja për historinë e rajonit dhe të kontribuojnë në një kuptim më të plotë të zhvillimit të shoqërive që kanë jetuar në këtë hapësirë në antikitet.
FITORE ISTREFI
