Maqedoni
Takimi në Sofje, Mickoski: S'pres asgjë nga bisedimet me Bullgarinë
06.10.2026 13:51
Mickoski nuk pret asgjë nga takimet e kryediplomatit Timço Mucunski në Sofje të Bullgarisë....

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk pret asgjë nga takimet e kryediplomatit Timço Mucunski në Sofje të Bullgarisë. Ai tha se duke marrë parasysh sjelljen e Qeverisë bullgare, opinioni në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të presë shumë nga këto takime.
“Duke marrë parasysh analizën time, të cilën dje ia tregova ministrit të Jashtëm, po jam sërish jokorrekt në aspektin diplomatik, por duke marrë parasysh sjelljen e Sofjes zyrtare, nuk pres asgjë. Pres njëfarë dialogu “pull aside” i themi ne, në karrige dhe kjo të jetë e gjitha.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Takimi mes Mucunskit dhe homologes së tij bullgare, Velisllava Petrova, duhet të mbahet të enjten dhe vjen si zhvillim pas vizitës së komisares evropiane Ursula von der Leyen në Shkup.
Mirëpo, sipas LSDM-së opozitare, kryeministri nuk po kërkon zgjidhje, por një konflikt që zvarritet me Bullgarinë.
“Ai nuk flet për zgjidhje. Ai flet në mënyra që e bëjnë të pamundur qoftë edhe uljen në tryezën e negociatave. Vetë ai thotë: "Ne po bisedojmë, nuk po negociojmë." Pikërisht. Ai nuk po negocion, sepse nuk po kërkon një rezultat. Ai po kërkon një konflikt që zvarritet. Kjo është qasja e tij ndaj Greqisë. Kjo është qasja e tij ndaj Bullgarisë. Që nga fushata e deri më sot. Kjo nuk është mënyra e duhur për t'iu qasur një fqinji, e lëre më negociatave lidhur me derën hyrëse drejt BE-së.”, - theksoi Andrej Zhernovski nga LSDM.
Debati për zgjedhjet, Mickoski: Opozita të kërkojë zgjedhje në Kuvend
Kryeministri u përgjigj edhe për zgjedhjet e parakohshme, duke e përsëritur qëndrimin se Qeveria synon të përmbyllë mandatin 4-vjeçar. Por, nëse opozita beson se Qeveria ka dështuar, siç thotë në konferenca për media, Mickoski tha se duhet të nisin procedurë për zgjedhje të parakohshme në Kuvend.
“Unë nuk kam dilemë për zgjedhje të parakohshme... Nëse dikush ka dilemë, Parlamenti është vendi ku duhet të kërkojë. Parlamenti shpërbëhet, Parlamenti shpall zgjedhje. Ndërsa unë kam qenë shumë preciz në dhjetëra deklarata të mia dhe do të jem sërish preciz: kjo qeveri ka mandat 4-vjeçar dhe ne po punojmë për mandat 4-vjeçar.”, - deklaroi Mickoski.
Nëse nisma arrin në Kuvend, sipas Mickoskit, koalicioni qeveritar është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme dhe i bindur në fitore.
BENJAMIN ARIFI
