Maqedoni

Sistemi pensional stabil, Mickoski: Pensionistët nuk kanë pse të shqetësohen

06.10.2026 14:14

Sistemi pensional në vend është stabil dhe pensionistët nuk kanë arsye për shqetësim....

Sistemi pensional në vend është stabil dhe pensionistët nuk kanë arsye për shqetësim. Kështu deklaron kryeministri Hristijan Mickoski, i cili thekson se, reforma e sistemit pensional ka për qëllim ndalimin e keqpërdorimit të parave publike dhe orientimin e tyre drejt sektorëve ku ka nevojë reale. 
 
“Situata është absolutisht stabile dhe e sigurt dhe pensionistët nuk kanë pse të shqetësohen. Në të vërtetë kjo Qeveri ka rritur pensionet mesatarisht si asnjë qeveri tjetër në historinë e Maqedonisë së pavarur. Nëse në të ardhmen kemi çfarë do politika tjera, publiku do të mbahet i informuar. Paratë janë këtu, por paratë duhet të gjurmohen aty ku keqpërdoren dhe të orientohen aty ku nevojiten.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Edhe pse Mickoski tha se sistemi pensional, pavarësisht sfidave, është likuid, nga opozita mendojnë ndryshe.
 
LSDM akuzon: Deficiti i krijuar, rrezik edhe për pensionistët e ardhshëm
 
Nga LSDM-ja thonë se deficiti ka arritur në nivelin historik. Sipas tyre, kjo situatë paraqet rrezik jo vetëm për pensionistët aktualë, por edhe për gjeneratat që do të dalin në pension në të ardhmen.
 
“Gropën në fondin pensional e kanë rritur në një miliard euro, një nivel historik, që përbën mbi 14% të të gjithë buxhetit të shtetit.”, - theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska. 
 
Kryeministri pranon se rritja lineare e pensioneve ka krijuar ngarkesë shtesë për buxhetin, por thekson se masa ka pasur efekt social, duke kontribuar në uljen e varfërisë tek pensionistët.
 
Ndërkohë, Mickoski kundërshton propozimin e Odës Ekonomike për reduktimin e numrit të festave dhe ditëve jo pune. Sipas tij, të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe ndryshimet në këtë fushë nuk duhet të bëhen në dëm të tyre.
 
SARA KAJOLLI