Botë

Përshkallëzohet lufta në Jemen, beteja për Bab el-Mandeb

06.10.2026 14:34

Lufta në Jemen është përshkallëzuar me shpejtësi..

Lufta në Jemen është përshkallëzuar me shpejtësi, ndërsa forcat qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite kanë nisur një ofensivë për rimarrjen e zonave strategjike pranë Detit të Kuq. Në fokus është Bab el-Mandeb, një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë. Forcat jemenase dhe milicitë aleate pretendojnë se kanë rimarrë portin e Moçës dhe aeroportin e Dhubabit, duke avancuar drejt ngushticës. Ndërkohë, Huthit i mohojnë këto pretendime.
 
“Jemi tani në aeroportin e Dhubabit. Falë Zotit, aeroporti i Dhubabit është pastruar dhe kemi avancuar në drejtim të Bab el-Mandebit.”, - deklaroi luftëtari i brigadave Giants.
 
Ndërkohë Huthit janë kundërpërgjigjur me sulme ndaj objektivave në Arabinë Saudite.
 
“Në përgjigje të agresionit saudit ndaj vendit tonë, forcat e armatosura jemenase kryen tre operacione ushtarake, duke përdorur raketa balistike, raketa të lundrimit dhe dronë. Në shënjestër ishin aeroporti King Halid në Riad, rafineria e Aramko-s në Rabig dhe disa objekte ushtarake në jug të Arabisë Saudite.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë së Huthëve, Jahja Sari.
 
Sipas Huthëve, sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të trafikut ajror në Riad dhe zjarr në rafinerinë e Rabigut. Huthit gjithashtu kanë paralajmëruar kompanitë ajrore ndërkombëtare kundër përdorimit të hapësirës ajrore saudite. Ndërkohë, lufta po lë gjurmë të rënda edhe në Sana. Një fabrikë sfungjeri dhe plastike është shkatërruar plotësisht nga një sulm me raketë. 
 
“Në vitin 2019, fabrika u godit nga një sulm ajror. Ne rifilluam punën në vitin 2025, pasi blemë makineri dhe pajisje të reja. Investuam gjithsej 1.5 milionë dollarë. Tani fabrika është shkatërruar plotësisht nga ky sulm.”, - u shpreh pronari i Fabrikës Zaid Al-Qasimi.
 
Pakistani dhe Turqia kanë njoftuar dislokimin e forcave në Arabinë Saudite. Ndërkohë, Uashingtoni po e rrit presionin ndaj Teheranit.
 
“Lufta do të përfundojë në një mënyrë ose në tjetrën, dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt. Ata nuk do të kenë armë bërthamore.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
 
Irani, nga ana tjetër, përgjigjet se negociatat me Shtetet e Bashkuara janë të pakuptimta.
 
FARIJE DAUTI BAKIU