Botë
Lufta në Ukrainë, sulme dhe përplasje të reja nga të dyja palët
06.10.2026 15:00
Forcat ruse kanë vazhduar sulmet ndaj Ukrainës. Në rajonin e Sumit janë raportuar shpërthime dhe dhjetëra të plagosur....

Forcat ruse kanë vazhduar sulmet ndaj Ukrainës. Në rajonin e Sumit janë raportuar shpërthime dhe dhjetëra të plagosur. Kievi është kundërpërgjigjur me sulme. Ndërsa në rajonin e Odesës, një sulm rus shkaktoi zjarr në një strehimore kafshësh. Është goditur një urë në rajonin e Zaporizhjes dhe një tjetër në Kiev, mbi lumin Dnipro, për çka është mbyllur qarkullimi. Sulmet ndaj urave kanë vështirësuar ndjeshëm jetën e përditshme në kryeqytet. Banorët thonë se udhëtimet që zakonisht zgjasin pak, tani kërkojnë orë të tëra.
“Të ktheheshim në shtëpi ishte shumë e vështirë. Pritëm katër ose pesë orë, ndonjëherë edhe gati gjashtë. Transporti ishte shumë i vështirë, sepse nuk mund të kalonim urat. Njerëzit vraponin drejt trenave, por edhe ata ishin të mbipopulluar dhe shumë persona nuk arrinin të hipnin.”, - tha një banore e Kievit.
Rusia ka raportuar viktima dhe të plagosur nga sulmi masiv ukrainas me dronë ndaj Moskës dhe zonave rreth saj, ku, sipas mediave ruse, është goditur edhe objekti më i madh i naftës. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pret që Shtetet e Bashkuara të organizojnë në tetor një takim trepalësh me Rusinë.
“Po përdorim të gjitha mundësitë për të intensifikuar diplomacinë. Pres që pala amerikane të arrijë të organizojë një takim trepalësh në tetor. Ekipi ynë është i gatshëm për takim. Nevojitet gatishmëri edhe nga Rusia.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë Gjermania akuzon Rusinë se zhvillon një “luftë në hije” dhe kryen sulme hibride. Kremlini i ka cilësuar këto akuza si “krejtësisht të pabaza dhe pa asnjë argument mbështetës”.
“I kemi dëgjuar këto akuza shumë herë. Është, si të themi, një taktikë informative, krijimi i një armiku artificial dhe të paqartë për të justifikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake, dhe pikërisht këtë po bën Republika Federale e Gjermanisë.”, - u shpreh zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov.
Më herët, kreu i inteligjencës gjermane paralajmëroi se Gjermania rrezikon të përfshihet në një konflikt të armatosur me Rusinë dhe akuzoi Moskën për zhvillimin e një “lufte në hije” dhe kryerjen e sulmeve hibride.
FARIJE DAUTI BAKIU
