Zvicra – Maqedonia, Musliu: Ne jemi njerëz prej mishi e gjaku
06.10.2026 15:17
Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll, sot në Lucern, ka një transfertë të vështirë ndaj Zvicrës në segmentit B të Ligës së Kombeve...

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll, sot në Lucern, ka një transfertë të vështirë ndaj Zvicrës në segmentit B të Ligës së Kombeve. Ndeshje kjo në të cilën të përzgjedhurit e Goce Sedlloskit do të orvaten të përmirësojnë imazhin nga paraqitjet në tri ndeshjet e këtij edicioni kur nuk shënuan asnjë gold he nuk fituan as pikë.
“Duhet të shohim nga ndeshja në ndeshje që çdo lojtar të japë maksimumin. Çdo ndeshje tjetër është një ndeshje ndryshe, kështu që lojtarët në çdo ndeshje duhet të jenë 100 për qind të gatshëm dhe të japin maksimumin, ta harrojnë ndeshjen e mëparshme që kanë luajtur, sepse pas tre ditësh vjen një tjetër ndeshje dhe duhet të përmirësohen.”, u shpreh Goce Sedlloski, trajner i Maqedonisë.
Mbrojtësi Visar Musliu nuk e fshehu zhgënjimin nga ofendimet që i janë drejtuar ekipit gjatë periudhës së fundit, duke kujtuar se bëhet fjalë për të njëjtit futbollist që në të kaluarën shënuar rezultate të mira.
“Ne jemi njerëz prej mishi e gjaku, kemi emocione. Kur gjërat shkojnë mirë, gjithçka është bukur, por kur ka kaq shumë ofendime ndaj dikujt, kjo dhemb. Tani kemi më së shumti nevojë për mbështetjen e vërtetë. Nuk është se na bën indiferent fakti që nuk kemi fitore dhe nuk kemi shënuar gol, por duhet të shikojmë përpara. Ashtu siç kemi arritur rezultate të mëdha më parë, besoj se mund të jemi shumë më të mirë në ndeshjet e ardhshme.”, u shpreh Visar Musliu, futbollist i Maqedonisë.
Duke folur, ndër të tjera, edhe për kundërshtarin e mbrëmjes, Musliu tha:
“Zvicra ka cilësi nga portieri deri te sulmuesi, prandaj nuk mund të flasim vetëm për mbrojtjen. Do të na duhet përgjegjësi ekipore, nga sulmuesi deri te portieri, secili duhet të kontribuojë në aspektin defensiv. Ndodhemi në një situatë të vështirë, nuk ka rezultate, ndërsa të gjithë i prisnin ato, sepse e kemi mësuar popullin me fitore. Duhet ta vëmë gishtin në kokë, të shohim se çfarë po bëjmë dhe si po sillemi ndaj kësaj fanele. Nuk mund të jetë vetëm kundërshtari ai që dikton lojën në fushë.”
Për shkak të problemeve me fushën e stadiumit “Thermoplan Arena” në Lucern, e cila është në gjendje të keqe, futbollistët e Maqedonisë, stërvitjen zyrtare e zhvilluan në fushën ndihmëse të kompleksit sportiv. (Gazetar: Safet Ademi)
