Shqipëri-San Marino, Manaj: Të mbyllim shpejt llogaritë
06.10.2026 15:20
Kombëtarja shqiptare në darkë do ti bëjë konakt San Marinos në Tiranë dhe përveç fitores dhe golave...

Kombëtarja shqiptare në darkë do ti bëjë konakt San Marinos në Tiranë dhe përveç fitores dhe golave, mendohet që trajneri Maran të testojë edhe ndonjë element në formacion. Kundërshtari i sotëm është modest, vetëm pak ditë më parë e mundëm 0-3 në fushën e tij. Fitorja në teori është e padiskutueshme. Me interes pritet mënyra si do ta interpretojnë kuqezinjtë këtë 90-minutësh, sa gola do të shënojnë dhe çfarë ndryshimesh apo testimesh do të bëjë trajneri Maran në lidhje me të ardhmen. Ndeshja Shqipëri – San Marino, nis në orën 20:45.
“Kur dëgjoj të thuhet e thjeshtë më vjen të rrënqethem, sepse nuk ka asnjë ndeshje të thjeshtë. Mund të ketë ndeshje pak më të vështira, ose më impenjative, ose më pak impenjative, por nuk ka ndeshje të thjeshta në futboll. Qëllimi im është që skuadra të aplikojë atë çka ne kemi përgatitur. Jam shumë i kënaqur me atë që kam vënë re. Dëshirën dhe impenjimin e tyre për të qenë aktivë në çdo minutë të stërvitjes, mbledhjet me video dhe çdo analizë që ne kemi bërë. Nuk është e lehtë apo e arritshme të gjendet kimia në grup. Por besoj se ia kemi dalë. Këtë dëshirë për të parë një skuadër që rritet e vë re te lojtarët. Jam shumë i kënaqur për këtë.”, u shpreh Rolando Maran, trajneri i Shqipërisë
“Ndeshja me San Marinon varet nga mënyra se si e marrim. Është një ekip shumë më i dobët se ne, por gjërat duhen demonstruar në fushë. Pas ndeshjes që luajtëm në Finlandë, në letër është ndeshja më e lehtë nga të tjerat. Ne do të futemi në fushë që në pjesën e parë për ta mbyllur direkt ndeshjen, të fitojmë dhe të marrim tri pikët……. Besoj se sa më shumë gola të bëjmë, aq më të lumtur do të jemi. Është një ekip me të cilin duhet të luajmë fort, duke menduar që nga fillimi se duhet ta zhbllokojmë ndeshjen. E kemi parë edhe vjet kundër Andorrës, e cila është më e dobët se ne, por i bëmë gol vetëm në minutën e 80-të. Ne duam që në 20 minutat e para të sulmojmë fort për ta hapur ndeshjen dhe pastaj, ishalla, të bëjmë më shumë gola se ç’kanë bërë ekipet e tjera.”, u shpreh Rey Manaj, futbollist i Shqipërisë. (Gazetar: Safet Ademi)
