Maqedoni

Rasti "Gjykatësi Ristov", përplasje mes Prokurorisë dhe Mbrojtjes

06.10.2026 15:30

Stafa pretendoi se fajësinë e kishte pranuar për shkak të presioneve dhe kushteve në paraburgim...

Në Gjykatën Penale në Shkup në rastin ndaj gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, ka dëshmuar ish-avokati i shtetit tani më i dënuar, Fehmi Stafa, në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga mbrojtja. Stafa, i cili po vuan dënim me burg, pas një marrëveshjeje me Prokurorinë deklaroi se nuk i ka dhënë ryshfet Ristovit dhe se paratë e përfshira në procedurë kanë qenë shpërblim për shërbime avokatie dhe hua. Ai pretendoi se fajësinë e kishte pranuar për shkak të presioneve dhe kushteve në paraburgim. Dëshmia e tij shkaktoi reagime të kundërta mes palëve. Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva, vlerësoi se besueshmëria e Stafës duhet të analizohet, duke theksuar se ai është dënuar me vendim të formës së prerë në një procedurë të lidhur drejtpërdrejt me këtë rast. Ajo tha se Prokuroria, përveç dëshmive, disponon edhe prova materiale dhe elektronike.
 
“Nuk dua ta ngarkoj këtë procedurë me gjëra që ekzistojnë dhe prova, domethënë, kallëzime penale, ankesa dhe sekuestrime, të cilat janë të gjitha dokumente që ekzistojnë dhe janë pjesë e çështjes dhe procedurave të Prokurorisë.”, - deklaroi prokurorja, Iskra Haxhi Vasileva.
 
Nga ana tjetër, avokati i Ristovit, Zvonko Davidoviq, tha se dëshmia e Stafës hap dilema serioze për provat e paraqitura nga Prokuroria. Sipas tij, nuk është treguar konkretisht se ku është marrë ryshfeti që pretendohet se i është dhënë gjyqtarit Ristov.
 
“Ne në seancë nuk e mbrojmë krimin dhe nuk e mbrojmë veprën të cilën e ka shkaktuar i akuzuari. Ne përpiqemi që të respektohen të drejtat ligjore që u garantohen kujtdo që bie në konflikt me ligjin.”, - theksoi avokati, Zvonko Davidoviq.
 
Ndaj gjyqtarit Gjoko Ristov zhvillohet procedurë për rastin e 350 mijë eurove, të gjetura gjatë kontrollit në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë. Prokuroria pretendon se paratë nuk ishin deklaruar dhe se prejardhja e tyre nuk ishte dëshmuar.


VLORA LATIFI TOPOJANI