Rajon

Zhvillimet në Kosovë mes vakumit institucional dhe presidentit të ri

06.10.2026 15:51

Kryeqendra e Kosovës, Prishtina, mbrëmë kaloi një natë mjaft të tensionuar...

Kryeqendra e Kosovës, Prishtina, mbrëmë kaloi një natë mjaft të tensionuar, pasi partitë politike nuk u dakorduan për votimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale në lexim të dytë. Policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës për të krijuar mundësinë që deputetët të largoheshin nga Kuvendi, pasi protestuesit pengonin largimin e tyre. 
 
Nga Qendra Klinike Universitare në Prishtinë u bë e ditur se 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, përfshi një pjesëtarë të policisë, por bëhet fjalë për lëndime të lehta, prandaj pas trajtimit mjekësor ata janë liruar për në shtëpi. Ndërkohë sot Kosova vazhdon të ndodhet mes vakumit institucional dhe tensioneve të shkaktuara nga protesta para Kuvendit. Derisa PDK-ja dhe protestuesit insistojnë në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, Lëvizja Vetëvendosje kërkon zgjedhjen e presidentit deri në mesnatë, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve.
 
“E ftoj partinë në pushtet, Zotin Kurti, kryetaren e Kuvendit Zonjën Haxhiu, që të jenë në sallë ta votojmë ligjin në lexim të dytë.”, - theksoi Bedri Hamza nga PDK.
 
“Po ju drejtohem me lutjen e shqiptarit, por edhe me paralajmërimin e fundit të këtij populli. Kanë mbetur vetëm edhe pak orë. Ne po ju lutemi të bëheni bashkë e të gjeni forcën të jeni njerëz para se të jeni numra partie. Mos e shkelni gjakun e dëshmorëve, por votojeni atë ligj.”, - deklaroi Çlirim Haziri nga Nisma “Jo në emrin tim”.
 
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri. Zyra e Presidencës sqaron se Haxhiu ka kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, në rastet kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur. Po ashtu Kushtetuta ia njeh të drejtën presidentit që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, prandaj Kushtetuesja duhet ta sqarojë se kush duhet ta bëjë këtë në rast të moszgjedhjes së presidentit të ri të shtetit. 
 
GYLTENE SINANI