Prezantohet raporti i Bankës Botërore, Mickoski: Raporti, bazë e mirë për reformat e mëtejshme

06.10.2026 17:17

RMV ka kaluar në kategorinë e vendeve me të ardhura....

Në 17 vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka kaluar nga kategoria e vendeve me të ardhura mesatarisht të ulëta në atë të vendeve me të ardhura mesatarisht të larta. Kjo u theksua gjatë prezantimit të raportit të ri të Bankës Botërore, “Maqedonia, dalja nga kurthi i të ardhurave të mesme”. Sipas përfaqësuesve të Bankës Botërore, vendi ka shënuar përparim edhe në uljen e varfërisë dhe është ndër ekonomitë më të integruara në rajon. Megjithatë, paralajmërojnë se pa një ndryshim vendimtar të modelit të rritjes ekonomike, ritmi mesatar vjetor i rritjes së PBB-së mund të ulet në vetëm 2.4 për qind deri në vitin 2050. Prandaj, raporti nënvizon nevojën për reforma të mëtejshme dhe një model të ri zhvillimi, që do t’i mundësonte vendit të shfrytëzojë më mirë potencialin ekonomik dhe të përshpejtojë rritjen.
 
“Këto arritje janë rezultat i reformave të qëndrueshme, investimit dhe përpjekjeve të njerëzve në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë ky është mesazhi qendror i këtij raporti, suksesi mund të kthehet në pikë stagnacioni. Në 17 vitet e kaluara, Maqedonia e Veriut ka mbetur në nivelin e vendeve me të ardhura mesatarisht të larta. Gjatë periudhës së njëjtë, fqinjët, si Shqipëria dhe Serbia kanë reduktuar borxhin e brendshëm me mesataren e BE-27 nga 7 në 11 pikë përqindjeje, ndërkohë që Maqedonia e Veriut mbetet në 4.”, - deklaroi drejtoresha e Bankës Botërore, Carole Megevand.
 
Raporti i sotëm, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, paraqet një bazë të mirë për reformat e mëtejshme. Ai theksoi se që nga fillimi i mandatit, Qeveria është fokusuar në realizimin e projekteve të ngecura, veçanërisht në korridoret 8 dhe 10-D, investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe reformat në sektorin e energjetikës, përfshirë interkonektorin e gazit me fqinjin jugor. Sipas Mickoskit, këto investime do të përmirësojnë ndjeshëm pozitën gjeostrategjike të vendit dhe do të hapin mundësi të reja për zhvillimin e industrisë dhe tërheqjen e investimeve. Si sektorë me potencial, ai veçoi qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale, që sipas tij, mund të sjellin vende pune të paguara mirë dhe të kontribuojnë në rritjen e ekonomisë.
 
“Meqë gjithçka tashmë është në realizim dhe kur të përfundojë e gjithë kjo, vërtet do të përmirësohet ndjeshëm pozita gjeostrategjike e vendit. Po bëhemi një kryqëzim i vërtetë sa i përket lidhjeve me autostrada, korridoreve hekurudhore, ndërlidhjes elektroenergjetike dhe lidhjes së gazit dhe me këtë vlerësoj se do të kemi më shumë mundësi për zhvillimin e industrisë, e cila në të ardhmen do të sjellë të ardhura më të larta. Duke pasur parasysh se për cilën industri bëhet fjalë, shpeshherë flas publikisht për këtë, e ajo është qendrat e të dhënave, apo inteligjenca artificiale, që është një proces i pashmangshëm. Bëhet fjalë për superinteligjencën, prandaj pres që si shtet të mundemi, përmes mënyrës se si do t’u ofrojmë shërbime investitorëve potencialë, ku aktualisht kemi gjashtë kompani këtu, të krijojmë mundësi të reja.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ekonomia maqedonase është shumë më stabile se më parë, tha Mickoski. Ndryshe, në fokus të këtij dokumenti të Bankës Botërore janë sfidat ekonomike dhe mundësitë për përshpejtimin e rritjes ekonomike përmes zbatimit të reformave të nevojshme. 
 
REXHEP QAMILI