Maqedoni
Gjuha shqipe përplas pushtetin dhe opozitën
06.10.2026 16:06
BDI-ja opozitare ka akuzuar sërish pushtetin për anashkalimin e gjuhës shqipe

BDI-ja opozitare ka akuzuar sërish pushtetin për anashkalimin e gjuhës shqipe. Kësaj radhe, ata potencojnë një rregullore për shkollat e mesme, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve parashikon që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet të publikohen në dy gjuhë.
“Neni 8, paragrafi 1, i Ligjit për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e të gjitha organeve të pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, taksativisht emëruar këtu edhe Gjykatën Kushtetuese e RMV-së, e që publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, publikohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën shqipe dhe në shkrimin e saj.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Këtyre akuzave u është përgjigjur deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai. Ajo thotë se gjuha shqipe nuk është prekur dhe nuk do të preket, ndërsa akuzoi opozitën se po tenton të krijojë kriza artificiale.
“Kur ju mungon kauza, shpikni lajme, krijoni huti dhe përpiqeni të trembni qytetarët. Por, qytetarët nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen më lehtë. Sa herë duhet ta themi qartë: gjuha shqipe nuk është prekur dhe nuk do të preket. Prandaj, mjaft me manipulime, mjaft me frikësim dhe mjaft me destabilizim të panevojshëm.”, - theksoi Saranda Imeri Stafai nga VLEN.
Rregullorja për mënyrën e udhëheqjes, formës dhe përmbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme është kontestuar në aspektin kushtetues pikërisht për mospublikim në gjuhën shqipe dhe të mërkurën do të jetë në rend dite në Gjykatën Kushtetuese.
BENJAMIN ARIFI
