Dy të punësuara nën pranga, dëmtojnë 80 milionë denarë “Lotarinë Shtetërore”

06.10.2026 17:13

Pas hetimit të Drejtorisë së Policisë Financiare...

Pas hetimit të Drejtorisë së Policisë Financiare, dy persona të punësuar në ShA “Lotaria Shtetërore” janë privuar nga liria, ndërsa Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, për shkak të dyshimeve për përvetësim në detyrë dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë. Bëhet fjalë për drejtoreshën e Sektorit për Financa dhe Kontabilitet dhe shefen e punëve financiare.
 
“Të gjithë qarkullimin ditor për vitin 2024, në shumën totale prej 46.038.720 denarësh, i cili u ishte besuar nga pikat e tyre të shitjes në pronësi të ShA “Lotaria Shtetërore”, nuk e kanë derdhur dhe depozituar në llogaritë transaksionale të shoqërisë në bankat komerciale. Gjithashtu, nga llogaritë bankare të ShA “Lotaria Shtetërore” kanë tërhequr mjete financiare në shumën totale prej 33.950.724 denarësh, të cilat në mënyrë të kundërligjshme i kanë përvetësuar për vete.”, thanë nga Drejtoria e Policisë Financiare.
 
Nga Policia Financiare informojnë se të dyja të arrestuarat, me qëllim të fshehjes së gjurmëve, kanë transferuar mjete financiare ndërmjet llogarive bankare të shoqërisë, kanë krijuar urdhërpagesa për transaksione dhe kanë realizuar pagesa dhe tërheqje, me të cilat në mënyrë të rreme kanë paraqitur se ishin kryer transaksione financiare në shuma të konsiderueshme.
 
Në të njëjtën kohë, ato kanë përgatitur dhe përdorur dokumentacion të pavërtetë financiar dhe kontabël. Dëmi i shkaktuar ndaj Lotarisë është përllogaritur në gati 80 milionë denarë. Procesi gjyqësor për rastin e Lotarisë është në vijim. Me pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335 mijë eurosh si garanci se nuk do të arratiset, ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi kërkon që Gjykata Penale e Shkupit t’ia kthejë pasaportën.
 
Për kërkesën e Grubit është formuar lëndë, e cila i është dorëzuar Prokurorisë për mendim. Pas marrjes së mendimit të Prokurorisë, Këshilli Penal do të procedojë mbi propozimin dhe do të marrë vendim, njofton Gjykata Penale.
 
FARIJE DAUTI BAKIU