Provimi i Jurisprudencës, ditëve në vijim Shasivari përballë studentëve
06.10.2026 17:15
Shasivari, në një tryezë me studentët dhe dekanët...

Shasivari, në një tryezë me studentët dhe dekanët e pesë fakulteteve juridike, do t’u prezantojë zgjidhjen ligjore të propozuar. Pas muajsh kërkesash dhe reagimesh për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhë të tjera, ditëve në vijim çështja do të hyjë në shqyrtim me synimin për zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në një tryezë me studentët dhe dekanët e pesë fakulteteve juridike, do t’u prezantojë zgjidhjen ligjore të propozuar.
Studentët dhe dekanët do të njihen drejtpërdrejt me zgjidhjen e propozuar dhe mënyrën se si ajo do të funksiononte në praktikë. Nga Ministria thonë se zgjidhja është përgatitur mbi parimet e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, barazisë dhe mosdiskriminimit, me synimin për të krijuar mundësi të barabarta për zhvillimin profesional të kandidatëve. Por, diskutimi nuk do të kufizohet vetëm te gjuha e provimit, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.
"Krahas prezantimit të zgjidhjes ligjore, do të diskutohet edhe për zbatimin e saj praktik programin e provimit të jurisprudencës, literaturën e detyrueshme, pyetjet, terminologjinë juridike profesionale, përkthimet dhe harmonizimin e terminologjisë juridike, si dhe mënyrën e dhënies së provimit. Zgjidhja e propozuar është përgatitur mbi parimet e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, barazisë dhe mosdiskriminimit, me qëllim të krijimit të mundësive të barabarta për zhvillimin profesional të të gjithë kandidatëve.", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Në Ministrinë e Drejtësisë janë dorëzuar kërkesa nga pesë organizata studentore. Tri prej tyre kërkojnë që provimi të mund të jepet në gjuhën shqipe, një në gjuhën angleze, ndërsa një tjetër në gjuhën angleze dhe turke. Bëhet fjalë për universitete ku studimet juridike zhvillohen në ciklin e parë dhe të dytë, përkatësisht në nivelin e magjistraturës, përveç në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe, angleze dhe turke.
Ndërkohë, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë një zgjidhje të pjesshme apo, siç e cilësojnë ata, një “propozim gjysmak”siç parashikohet që teoria të jepet në gjuhën amtare, ndërsa praktika në gjuhën maqedonase. Synimi i deklaruar i Ministrisë së Drejtësisë është që të sigurohet qasje e barabartë në provimin e jurisprudencës, pa ulur kriteret profesionale. Por, nëse zgjidhja do t’i përmbushë pritshmëritë e studentëve, pritet të bëhet e qartë pikërisht në tryezën e tetorit.
FLORIJE KAMBERI
