Botë
Kurti: Sot presidenti, të enjten ndryshimet ligjore
06.10.2026 17:28
Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit...

Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti i ka ofruar PDK-së që të votojë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse kjo parti zotohet publikisht se do t’i sigurojë së paku gjysmën e votave të grupit parlamentar për zgjedhjen e presidentit.
“Është paradoksale, përveç se e dëmshme, të thuash se nuk ka temë më të rëndësishme se gjykata speciale dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe ta dërgosh vendin në zgjedhje për president. Për prioritetet që i kemi dhe duhet t’i kemi, gjëja e parë që duhet ta bëjmë për të ecur përpara është heqja e pengesave imediate që i kemi të gjithë ne bashkë, e kjo është çështja e presidentit. Dhe unë publikisht zotohem para jush që në paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë për Dhomat e Specializuara, duke e respektuar rregulloren e punës së Kuvendit 72 orë, i bie paraditja e së enjtes.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Hamza: Nuk flasim për asgjë, përveç për ligjin
Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, thotë se qëndrimi i partisë së tij është i prerë, të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen dhe të mos lidhet kjo çështje me zgjedhjen e presidentit.
“Qëndrimi ynë është i qartë, përgjigja jonë është e qartë se nuk kemi se pse takohemi me askënd para se ligji të kalojë në lexim të dytë.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Protestuesit: Votoni ndryshimet ligjore
Ndërkohë protestuesit para Kuvendit vazhdojnë të kërkojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
“Votojeni ligjin, votojeni ligjin, votojeni ligjin!”, - thanë protestuesit.
“Po ju drejtohem me lutjen e shqiptarit, por edhe me paralajmërimin e fundit të këtij populli. Kanë mbetur vetëm edhe pak orë, ne po ju lutemi të bëheni bashkë e të gjeni forcën të jenë njerëz para se të jeni numra partie. Mos e shkelni gjakun e dëshmorëve, por votojeni atë ligj.”, - u shpreh Çlirim Haziri nga Nisma “Jo në emrin tim”.
Haxhiu i drejtohet Kushtetueses: Kërkon sqarime për mandatin e u.d. presidentes
Ndërkohë ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor në rolin e ushtrueses së presidentes, në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.
Zyra e Presidencës sqaron se Haxhiu ka kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, në rastet kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur.
Po ashtu Kushtetuta ia njeh të drejtën presidentit që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, prandaj Kushtetuesja duhet ta sqarojë se kush duhet ta bëjë këtë në rast të mos zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit.
GYLTENE SINANI
