Maqedoni

Parashikimi i motit

07.10.2026 08:47

Me diell dhe relativisht ngrohtë, gjatë fundjavës reshje shiu dhe bubullima

Pas mëngjesit të kthjellët dhe të ftohtë, sot na pret mot me diell dhe relativisht i ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare në nivel lokal. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi jugor, informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPH).
 
Temperaturat e mëngjesit do të lëvizin nga -3 deri në 8 gradë, ndërsa ato ditore do të jenë dukshëm më të larta dhe do të arrijnë nga 22 deri në 28 gradë Celsius.
 
Në Shkup do të jetë me diell dhe relativisht ngrohtë, me vranësira të pakta dhe erë të dobët nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura do të lëvizë nga minimalja prej 2 deri në maksimalen prej 26 gradësh.
 
Të enjten pritet mëngjes më i ftohtë, por gjatë ditës do të mbizotërojë mot kryesisht me diell, me vranësira të pakta deri mesatare.
 
Ndryshim i kushteve të motit pritet nga e premtja. Të premten dhe gjatë fundjavës do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu, të cilat në disa vende do të jenë më të dendura. Lokalisht priten reshje të rrëmbyeshme shiu, ndërsa është e mundur edhe paraqitja e rrallë e bubullimave.
 
Njëkohësisht, temperaturat e mëngjesit gradualisht do të shënojnë rritje.