Seanca e 125-të e Kuvendit me 25 pika në rend dite

07.10.2026 09:41

Kuvendi sot do të mbajë seancën e 125-të, në rendin e ditës të së cilës janë 25 pika...

Kuvendi sot do të mbajë seancën e 125-të, në rendin e ditës të së cilës janë 25 pika, mes tyre disa propozime ligjore nga fusha e administratës publike, arsimit të lartë, mjedisit jetësor, prokurimeve publike dhe marrëdhënieve të punës.
 
Në lexim të dytë, deputetët do të diskutojnë për Propozim-ligjin për paraqitjen dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte, Propozim-ligjin e plotësuar për Revizionin Shtetëror dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimet Publike.
 
Në rend dite janë edhe disa propozim-ligje me procedurë të shkurtuar, mes tyre ndryshimet e ligjeve për banim, drejtuesit e lartë, nëpunësit administrativë, të punësuarit në sektorin publik, pagat dhe kompensimet e personave të zgjedhur dhe të emëruar, pyjet, si dhe Ligji për Shujtën e Subvencionuar të Studentëve.
 
Në lexim të parë do të shqyrtohen ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të ligjeve për prokurimet publike, mjedisin jetësor, punët e jashtme, tatimin mbi të ardhurat personale, mbrojtjen e fëmijëve, çmimet shtetërore, pagën minimale dhe marrëdhëniet e punës, si dhe Propozim-ligji për Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike Civile.
 
Para deputetëve do të gjenden edhe Propozim-programi kombëtar për arsimin e lartë me propozim-masa dhe Propozim-programi kombëtar për veprimtarinë kërkimore-shkencore me propozim-masa.
 
Në rend dite janë edhe propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e përbërjes së komisioneve të Kuvendit, për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Mbikëqyrje Civile, si dhe për shpalljen e konkursit publik për emërimin e një anëtari të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale.