Kuvendi i Kosovës, Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës
07.10.2026 16:49
Kuvendi i Kosovës me 81 vota për zgjodhi Justina Shiroka Pula presidente të re të Kosovës...

Kosova sot zyrtarisht ka presidente të re. Në një ceremoni rasti, presidentja e porsazgjedhur e mori detyrën nga ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu.
Justina Shiroka Pula u zgjodh në postin e presidentes së re të Kosovës me 81 vota për, duke shmangur në momentet e fundit zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja e re e Kosovës u zgjodh me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të koalicionit dhe PDK-së opozitare, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin edhe deputetët e LDK-së, por ata nuk votuan fare. Pas zgjedhjes, presidentja Shiroka Pula u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona. Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.”, - deklaroi presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen presidente të Kosovës, duke thënë se me këtë vendi ka institucione stabile.
“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka Pula, Kosova ka institucione stabile”, ka shkruar Kurti.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar Justina Shiroka Pulën pas zgjedhjes së saj Presidente e Kosovës. Hamza ka thënë se i uron asaj sukses në detyrën e saj, ndërsa ka garantuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e PDK-së.
“E denjë për pozitën e presidentes. Unë i uroj presidents sukses në punë, i garantoj bashkëpunim në emër të PDK-së, për ta përkrahur në punët e presidentes.”, - u shpreh kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Avokati Arianit Koci e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e presidentes së re, me pretendimin se nuk është zbatuar aktgjykimi i Kushtetueses lidhur me procedurën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, deri më 6 tetor, ndërsa sipas tij, votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës.
GYLTENE SINANI
