Maqedoni

Kopshti “8 Prilli” në Shuto Orizarë, pas një dekade, rikthehet i rinovuar në përdorim

07.10.2026 13:31

Sot u vu në përdorim kopshti i rinovuar “8 Prilli” në Shuto Orizarë, një objekt që para një dekade ishte përfshirë nga zjarri..

Sot u vu në përdorim kopshti i rinovuar “8 Prilli” në Shuto Orizarë, një objekt që para një dekade ishte përfshirë nga zjarri. Kopshti është ndërtuar sipas standardeve të larta energjetike dhe të qasshmërisë, me hapësira për lojëra, kënd gjithëpërfshirës dhe çati të gjelbër për mësim në ambient të hapur dhe edukim mjedisor.
 
“Në emër timin dhe të komunës, i falënderoj të gjithë ata që kontribuuan dhe e bënë të mundur që sot të qëndrojmë në këtë kopsht të ri, një kopsht që është ndër më të bukurit dhe më modernët në vend.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Shuto Orizarës, Kurto Dudush.
 
Arsimi parashkollor nuk është vetëm një shërbim për familjet, por një investim i qartë në barazi, përfshirje sociale dhe të ardhmen e vendit, theksuan donatorët e kopshtit, ambasadat e Zvicrës dhe Norvegjisë.
 
“Norvegjia me krenari dha mbështetjen e saj për rindërtimin e këtij kopshti përmes UNDP-së, së bashku me komunën dhe institucionet kombëtare. Ajo që filloi fillimisht si një përgjigje emergjente ndaj dëmit, shumë shpejt u shndërrua në diçka më ambicioze, ndërtimin e një kopshti të ri, modern dhe funksional, të konceptuar për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të komunitetit dhe për t’i shërbyer atij për shumë vite.”, - theksoi ambasadorja e Norvegjisë në RMV, Kristin Melsom.
 
“Me hapjen e sotme të këtij objekti sigurohen vendet e nevojshme për arsimin parashkollor të fëmijëve në këtë komunë. Këtu kemi katër dhoma që mund të përdoren menjëherë, sapo të sigurohet stafi i nevojshëm. Infrastruktura është këtu, pajisjet janë siguruar, fëmijët presin dhe nuk nevojiten investime të mëdha të reja.”, - u shpreh ambasadori i Zvicrës në RMV, Christoph Sommer.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski u zotua se së shpejti do të jepen pëlqimet për punësime të reja në këtë çerdhe, në mënyrë që ajo të vihet në funksion të plotë.
 
“Shumë shpejt do të japim pëlqimin për punësimin e stafit në këtë çerdhe dhe, në këtë mënyrë, ajo që është investuar dhe ndërtuar do të vihet së shpejti në funksion. Ajo që më bën veçanërisht të lumtur është se nuk do të kemi më lista pritjeje për fëmijët në këtë komunë dhe kapacitetet do të jenë tërësisht të plotësuara.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ministri i Punës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, tha se Qeveria aktualisht po punon për zgjerimin e kapaciteteve të kopshteve dhe çerdheve në të gjithë vendin, veçanërisht në kryeqytet.
 
“Deri në fund të vitit 2028, kur përfundon edhe mandati i kësaj Qeverie, do t’i zgjidhim listat e pritjes në të gjitha komunat e Shkupit, të cilat sot numërojnë mbi 2 mijë e 100 fëmijë. Do t’i zgjerojmë kapacitetet në të gjitha komunat e kryeqytetit dhe, në këtë mënyrë, do ta zgjidhim në mënyrë sistematike këtë problem, i cili, për fat të keq, zvarritet prej dekadash.”, - theksoi ministri i Punës Sociale, Gjoko Vellkovski.
 
Në të gjithë vendin është parashikuar ndërtimi i 37 kopshteve, prej të cilave 16 në Shkup. Me ndërtimin e tyre do të tejkalohen të gjitha listat e gjata të pritjes për regjistrimin e fëmijëve në kopshte.
 
REXHEP QAMILI