Maqedoni

Çdo vit rritet numri i personave me diabet, diabeti nuk njeh moshë, edhe fëmijët të rrezikuar

07.10.2026 14:04

Numri i personave me diabet çdo vit e më shumë po rritet, alarmojnë endokrinologët...

Numri i personave me diabet çdo vit e më shumë po rritet, alarmojnë endokrinologët. Sipas tyre, simptomat e para mund të jenë me një gotë ujë më shumë, dobësim, lodhje të cilën nuk e ka pasur më parë.  Shpesh, shenjat e para duken të zakonshme, sidomos tek fëmijët, dhe duhen të merren masa që në simptomat e para të konsultohen me mjekë për zbulimin e hershëm të sëmundjes, thonë kompetentët e kësaj fushe.
 
“Fatkeqësisht vitet e fundit, dy dekadat e fundit, diabeti i tipit 2 në masë të madhe ka filluar të shfaqet tek fëmijët adoleshentë dhe nuk është i njohur si më parë vetëm tek të rriturit, siç kishim kritere mbi 30 vjet diabeti i tipit 2 dhe në pleqëri me një prevalencë më të lartë. Vitet e fundit kemi një rritje të diabetit të tipit të 2-të dhe e ka arritur numrin e personave që kanë diabet të tipit 1 dhe 2 tek fëmijët dhe adoleshentët që më herët ishte një sëmundje e rrallë.”, - deklaroi endokrinologu, Irfan Ahmeti.
 
Obeziteti është faktori kryesor për paraqitjen e diabetit të tipit 2, thotë endokrinologu Irfan Ahmeti. 
 
“Ndryshimi i stilit të jetës, veset e këqija, mosaktiviteti fizik, çrregullimi i gjumit, gjithë faktorët e rrezikut qofshin ato ambientale, trashëguese, të mënyrës së kequshqyerjes apo mosaktivitetit fizik, të gjitha këto kanë ndikuar që çrregullimet e tilla në metabolizëm të paraqiten që në moshën e hershme.”, - theksoi endokrinologu, Irfan Ahmeti.
 
Ahmeti thekson që pijet e gazuara dhe pijet e tjera me sheqer, ëmbëlsirat, ushqimet e përpunuara dhe konsumi i shpeshtë i ushqimeve me shumë kalori mund të favorizojnë shtimin në peshë dhe obezitetin, duke rritur rrezikun për diabetin e tipit 2. Andaj nevojitet kontroll i vazhdueshëm dhe trajtimi i duhur për të parandaluar komplikimet.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI