Maqedoni
Kumanovë, protesta para deponisë "Krasta"
07.10.2026 15:09
Tash e 24 orë banorë lokal të fshatrave Pçinja, Studena Bara, Vakëf e Vincë, kanë bllokuar deponinë “Krasta”...

Tash e 24 orë banorë lokal të fshatrave Pçinja, Studena Bara, Vakëf e Vincë, kanë bllokuar deponinë “Krasta”, ku përmes protestave po shfaqin revoltën e tyre ndaj autoriteteve për mos shuarjen e zjarrit në këtë deponi.
Protestuesit nuk po lejojnë makineritë e NP "Pastrim dhe Gjelbërim", që t'i hedhin mbeturinat e grumbulluara në këtë deponi. Protestuesit thonë se autoritetet kanë filluar të ndërmarrin masa, por jo me intensitet të duhur.
"Tash e 24 orë jemi këtu. Deri më tani nga kompetenca nuk kemi asgjë. Ne nuk do të tërhiqemi nga këtu deri sa të plotësohet kërkesa jonë për sanimin e deponisë. Sot kanë sjellë diku 4-5 kamion me rërë që nuk mjafton për shuarjen e zjarrit. Ne duam ajër të pastër. Problem kemi edhe me gurthyesit që janë në afërsi, andaj edhe ftojmë autoritetet të marrin masa.", - u shpreh mes tjerash një protestues, banor i fshatit Pçinja-Kumanovë.
"Këtë herë do të qëndrojmë deri në fund, kemi mjaft takime dhe memorandume të nënshkruara me Komunën e Kumanovës, por deri më tash asgjë nuk u realizua. Nuk largohemi nga këtu përderisa nuk plotësohen kërkesat tona për ajër të pastër në fshatrat tona.", - theksoi një tjetër protestues, banor i fshatit Pçinja-Kumanovë.
Ndërkohë banorët lokalë u bëjnë ftesë edhe qytetarëve të tjerë të kyçen në protestë për ajër të pastër dhe jetë normale në këtë pjesë të Komunës së Kumanovës.
FATLUM AQIFI
