Rajon

Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale në Hagë

07.10.2026 15:20

Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale në Hagë...

Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me të cilat ndryshohet mënyra e funksionimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Propozues i ndryshimeve ligjore ishte PDK-ja, kreu i së cilës, Bedri Hamza, pas miratimit në lexim të dytë deklaroi se me këtë ligj është siguruar se lufta e  drejtë e UÇK-së nuk mund të gjykohet.
 
"Ne nuk dëshirojmë ta pengojmë drejtësinë, ne dëshirojmë të vendosim drejtësi, ne dëshirojmë që luftës së popullit të Kosovës, UÇK-së, t’i garantojmë drejtësi, të kemi mbikëqyrje, të kemi transparencë, të kemi llogaridhënie. Dhe jam i bindur se me këtë ligj është siguruar që lufta e  drejtë e UÇK-së nuk mund të gjykohet.",- deklaroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
 
Ndryshimi i ligjit u mirëprit nga protestuesit në Prishtinë dhe shoqatat e dala nga lufta, ndërsa krahas deputetëve të PDK-së ai u miratua edhe me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës, derisa LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Ligji nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale në Hagë, por prek disa prej elementeve kryesore të funksionimit të saj si juridiksionin, periudhën kohore që mbulon, dënimet, vendin ku ato mbahen dhe trajtimin e rasteve që do të mbeteshin jashtë kompetencës së saj. Nisma e PDK-së erdhi vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilëve gjykata e shkallës së parë u shqiptoi dënim prej 81 vjet heqje lirie.
 
GYLTENE SINANI