Rajon

Zgjedhja e Presidentes së Kosovës, Begaj e Rama urojnë Presidenten e re të Kosovës

07.10.2026 15:34

Votimi i Presidentes së re në Kosovë u prit me mjaft interes edhe nga Tirana zyrtare...

Votimi i Presidentes së re në Kosovë u prit me mjaft interes edhe nga Tirana zyrtare. Presidenti Bajram Begaj tha se qëndron krah Kosovës në çdo sfidë.
 
“Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë. Urime Presidente! Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë!”, - theksoi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
Kryeministri Edi Rama thotë se zgjedhja e presidentes së re vjen në një kohë sfiduese.
 
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Evropën.”, - u shpreh kryeministri, Edi Rama.
 
Dëshmi të pjekurisë politike të Kosovës, e quajti ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, votimin për presidenten e re.
 
“Ky zhvillim pozitiv përcjell një mesazh të qartë: interesi i qytetarëve dhe i shtetit qëndron mbi çdo ndarje politike. Dialogu, mirëkuptimi dhe gjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet me interes kombëtar janë tregues të pjekurisë demokratike dhe të përgjegjësisë institucionale.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha.  
 
Vlerësime pati edhe nga liderët e opozitës. Kryetari demokrat Sali Berisha e vlerësoi Justina Pulën si akademike e shquar dhe i uroi suksese.
Edhe kreu i PL-së, Ilir Meta, përgëzoi deputetët e Parlamentit që dëshmuan pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lartë politike për kapërcimin e një situate sfiduese për Kosovën.
 
LULJETA NDOKA