VLEN: Kosova dëshmoi forcën e demokracisë
07.10.2026 16:48
Krerët e partive shqiptare në vend kanë uruar zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës....

Krerët e partive shqiptare në vend kanë uruar zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës.
“Kosova dëshmoi se demokracia, dialogu politik dhe respektimi i institucioneve janë rruga për të tejkaluar edhe situatat më të vështira politike. Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës si presidente e re i jep fund ngërçit institucional dhe hap rrugën për rikthimin e plotë të funksionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Ahmeti: Përgjegjësi e lartë shtetërore
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
“Me një vëmendje të veçantë, sonte përcolla pjekurinë politike dhe përgjegjësinë e lartë shtetërore të autoriteteve politike të Kosovës, të cilat arritën të gjejnë zgjidhje për krizën politike, duke shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare dhe duke zgjedhur në krye të shtetit prof. dr. Justina Shiroka Pulën.”, ka shkruar Ahmeti.
Sela: Kosova fitoi stabilitet
Edhe kreu i Lidhjes Shqiptare ka uruar zgjedhjen e presidentes Shiroka Pula.
“Shpëtoi nga kriza institucionale me pasoja të rrezikshme, nga polarizimi i shoqërisë, nga trazirat dhe skenarët që askush se di ku do të ishte fundi. Fitoi Kosova stabilitet, fituan edhe krerët e UÇK-së, që përveç ligjit, tani do të kenë edhe institucionet dhe vëmendjen e plotë për të fituar betejën ligjore e diplomatike.”, shkruhet në urimin e Selës.
Taravari: Hap i rëndësishëm drejt stabilitetit
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përshëndetur zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si Presidente e Kosovës, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit politik të vendit.
“Urime Kosovës që sot zgjohet me Presidente duke hedhur kështu një hap shumë të rëndësishëm drejt stabilitetit! Urime akademikes Justina Shiroka Pula, që prej sot jam i lumtur ta quaj Zonja Presidente.”, ka shkruar Taravari.
FARIJE DAUTI BAKIU
