Shëndetësi, vaksinimi BSZH vazhdon me vaksina japoneze
Imunizimi i të porsalindurve kundër tuberkulozit...

Imunizimi i të porsalindurve kundër tuberkulozit në vend do të vazhdojë me vaksinat BSZH të një prodhuesi japonez. Pasi imunizimi u ndërpre përkohësisht për shkak të reaksioneve të mundshme anësore të raportuara në Kroaci nga vaksina bullgare, autoritetet shëndetësore kanë siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave për një vit. Ndërkohë, po verifikohet nëse vaksina e diskutueshme është e lidhur me shfaqjen e infeksionit të kockave dhe nëse në Maqedoni gjatë katër viteve të fundit mund të ketë pasur raste të paevidentuara.
Deri tani nuk ka raportime për reaksione të tilla anësore, ndërsa të gjitha seritë janë përdorur.
“Në bashkëpunim me Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të Maqedonisë po hetohen seritë që janë aktive në vendin tonë, të cilat po përdoren tani, përkatësisht janë përdorur deri dje, dhe nuk kemi pasur të raportuar reaksione anësore. Sa i përket ecurisë klinike, osteomieliti mund të shfaqet edhe për shkak të gjendjeve të tjera, pra nuk është domosdoshmërisht vetëm pas vaksinimit, dhe mund të shfaqet edhe disa javë pas marrjes së vaksinës, madje edhe deri disa vite më vonë. Pra, periudha kohore e lidhjes është shumë e gjatë për të mundur të themi me siguri. Çdo reaksion anësor që raportohet po monitorohet me kujdes” – tha Aleksandra Grozdanova nga Komisioni për imunizim.
Nuk ka të dhëna se sa fëmijë e kanë marrë vaksinën nga këto seri, por çdo vit rreth 15 mijë të porsalindur imunizohen me vaksinën BSZH.
Vaksina merret në maternitet ose gjatë vitit të parë të jetës. Ajo është e detyrueshme dhe është pjesë e kalendarit të rregullt të imunizimit. Mbron nga format e rënda të tuberkulozit. Maqedonia renditet ndër vendet me rrezik të lartë nga kjo sëmundje. Imunizimi kundër gripit sezonal do të fillojë në fund të këtij muaji. Këtë vit ka edhe më pak vaksina. Nga 80 mijë dozat e planifikuara, janë siguruar 56 mijë.
“Nuk kemi raste të personave të prekur nga gripi. Kemi raste nga viruse të tjera; të gjithë e dini se aktualisht janë aktive viruse të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes, por nuk kemi grip. Nëse para fillimit të vaksinimit shfaqet rreziku nga gripi, ne jemi të përgatitur me planin B, që për grupet me rrezik të lartë të zbatohet terapi parandaluese dhe trajtim për gripin. Megjithatë, pres që gjithçka të bëhet në kohë” – deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Si arsye për vonesën e vaksinimit kundër gripit sezonal përmendet publikimi i vonuar i tre shtameve të reja të virusit, gjë që e shtyu prodhimin e vaksinave në Evropë. Ndërkaq, në thirrjen vendore për prokurimin e vaksinave nuk u paraqit asnjë prodhues apo distributor.
