Maqedoni

Nikolloski: Këtë vit mund të arrijmë në 4 milionë pasagjerë në të dy aeroportet

08.10.2026 12:52

Rritja e komunikacionit ajror është rezultat i politikës së subvencionimit që Qeveria e ka hartuar në vitin 2024 dhe ka filluar ta zbatojë në vitin 2025...

Rritja e komunikacionit ajror është rezultat i politikës së subvencionimit që Qeveria e ka hartuar në vitin 2024 dhe ka filluar ta zbatojë në vitin 2025, vlerësoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Sipas tij, numri i pasagjerëve në të dy aeroportet këtë vit mund të arrijë në katër milionë.
 
Nikolloski theksoi se në korrik, komunikacioni në të dy aeroportet është rritur për 21 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në gusht rritja ka qenë 31 për qind.
 
Ai rikujtoi se kur mori detyrën, numri i përgjithshëm i pasagjerëve në të dy aeroportet ishte rreth 2,4 milionë në vit. Në vend të 3,2 deri në 3,3 milionë pasagjerëve që priteshin deri në fund të mandatit të parë, shifra prej tre milionë është arritur për vetëm një vit, ndërsa këtë vit, sipas Nikolloskit, mbetet të shihet nëse do të arrihet kufiri prej katër milionë pasagjerësh.
 
Sa i përket Aeroportit të Ohrit, Nikolloski vlerësoi se ka rritje të konsiderueshme të komunikacionit ajror dhe paralajmëroi mundësinë që kompania “Wizz Air” ta zgjerojë bazën e saj me një aeroplan shtesë.
 
Sipas tij, në marrëveshjen e koncesionit ishte paraparë që Aeroporti i Ohrit deri në vitin 2030 të arrijë në 130 mijë pasagjerë, ndërsa këtë vit pritet që numri të jetë mes 350 dhe 400 mijë.
 
Nikolloski paralajmëroi gjithashtu se po konkretizohen detajet për hapjen e linjës ajrore Shkup–Dubai. Sipas tij, kjo linjë do të ishte e rëndësishme edhe për bizneset e Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh se një pjesë e panaireve të mëdha dhe aktiviteteve afariste po orientohen gjithnjë e më shumë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, por edhe për rritjen e vizitave turistike nga rajoni i Gjirit.