Botë
Kurti takoi presidenten Shiroka Pula, gatishmëri për bashkëpunim ndërinstitucional
08.10.2026 14:36
Kryeministri Albin Kurti ka realizuar takimin e parë me presidenten e shtetit Justina Shiroka Pula....

Kryeministri Albin Kurti ka realizuar takimin e parë me presidenten e shtetit Justina Shiroka Pula. Pas takimit, Kurti tha se Kosova, tashmë i ka institucionet gjithësisht funksionale, dhe nuk ka kohë për të humbur, institucionet duhet të bashkërendohen për përballimin e sfidave shtetërore.
“Republika e Kosovës më në fund, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucionet gjithësisht funksionale, dhe tash natyrisht që nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara. Dhe unë hasa jo vetëm mirëkuptimin, por gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Homazhe në Prekaz, te varri i Rugovës dhe Demaçit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, njofton Presidenca. Në Prekaz, presidentja nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari. “Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun.”, ka theksuar presidentja Shiroka Pula. Gjatë homazheve te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.
Ndërsa te varri i veprimtarit Adem Demaçi, presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës. Nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave, ka vlerësuar presidentja Shiroka Pula.
GYLTENE SINANI
