Maqedoni

Stamboll, Samiti Ndërkombëtar i Drejtësisë

08.10.2026 15:05

Shasivari po qëndron në Turqi, në kuadër të Samitit Ndërkombëtar të Drejtësisë që po mbahet në Stamboll....

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, po qëndron në Turqi, në kuadër të Samitit Ndërkombëtar të Drejtësisë që po mbahet në Stamboll. Samiti trajton 4 tema prioritare që kanë të bëjnë me ligjin ndërkombëtar humanitar, inteligjencën artificiale, gjyqësinë tranzicionale dhe migrimin.
 
“Me ftesë të ministrit të Drejtësisë së Republikës së Turqisë, zotëri Akin Gyrlek, marr pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Drejtësisë që mbahet në Stamboll. Ky është një forum i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe avancimin e standardeve të sundimit të ligjit.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
 
Shasivari thotë se do ta shfrytëzojë samitin për të ndërtuar partneritete të reja, ndërsa po zhvillon edhe takime bilaterale në margjinat e samitit. Ai është takuar me homologun nga Gjeorgjia, ndërsa pritet të zhvillojë takim edhe me ministrin turk të Drejtësisë dhe kolegë të tjerë nga rajoni dhe bota. 
 
“Si ministër i Drejtësisë, e shoh këtë pjesëmarrje si mundësi për të përfaqësuar interesat tona institucionale dhe për të ndërtuar partneritete të reja në fushën e drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë themeli i një drejtësie më të fortë dhe më të besueshme.", - theksoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
 
Në samit po marrin pjesë rreth 600 pjesëmarrës, përfshirë ministra drejtësie, gjykatës dhe ekspertë nga 70 vende, bashkë me rreth 30 organizata ndërkombëtare.  
 
BENJAMIN ARIFI