Maqedoni

Përdorimi i IA-së nëpër shkolla, Janevska: Nuk duhet të zëvendësojë të menduarit

08.10.2026 15:16

Inteligjenca artificiale po hyn me hapa të shpejtë në klasat e Maqedonisë së Veriut...

Inteligjenca artificiale po hyn me hapa të shpejtë në klasat e Maqedonisë së Veriut, ndërsa mësuesit duhet të jenë të përgatitur për ta përdorur atë si mjet që përmirëson arsimin dhe jo si zëvendësim të tyre. Ky ishte një nga mesazhet e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në aktivitetin kushtuar përdorimit të inteligjencës artificiale në arsim. Ajo gjithashtu foli edhe për rreziqet e përdorimit të pakontrolluar të inteligjencës artificiale, duke theksuar nevojën që informacionet të verifikohen dhe që teknologjia të mos zëvendësojë procesin e të menduarit dhe të mësuarit.
 
“Rreziqet janë që nxënësit të marrin informacione të gatshme pa u munduar t’i kërkojnë vetë, që do të thotë përvetësim i shpejtë i informacionit pa investuar përpjekje, gjë që sigurisht nuk është e mirë. Rreziku i dytë është besimi 100 për qind te inteligjenca artificiale. Më së shpeshti përdoret ChatGPT dhe, siç dihet tashmë, ai mund të konfabullojë, veçanërisht në versionet më të dobëta, dhe jo gjithmonë informacionet që jep janë plotësisht të sakta. Një tjetër rrezik është që nxënësit të ndalojnë së përdoruri librat në formë të shtypur, të cilët zhvillojnë edhe funksione të tjera njohëse. Megjithatë, edhe kur përdoret inteligjenca artificiale, informacioni duhet gjithmonë të kontrollohet dhe të verifikohet.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. 
 
Trajnimi është realizuar në partneritet mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Brainster Next, me qëllim që mësuesit të fitojnë njohuri dhe aftësi për përdorimin e teknologjive të reja në mësimdhënie.
 
“Nëse e shfrytëzojmë inteligjencën artificiale vetëm në atë nivelin e parë, në mënyrë që ta bëjmë një detyrë të thjeshtë më të lehtë, duke shkruar diçka dhe duke marrë mbrapsht një përgjigje, kjo, sipas meje, mund të jetë hapi i parë, por jo mënyra e duhur e përdorimit të inteligjencës artificiale. Kemi shumë gjëra të tjera që mund t’i bëjmë dhe që mund të na shërbejnë, si automatizimi, por edhe shfrytëzimi i inteligjencës artificiale për hulumtime dhe për të na ndihmuar të mësojmë.”. 
 
Ministrja Janevska mori pjesë në ceremoninë ku u ndanë mirënjohje për mësuesit dhe shkollat që përfunduan trajnimin për zbatimin e inteligjencës artificiale në procesin arsimor. Qëllimi i trajnimeve është që mësuesit të jenë në gjendje t'i përdorin këto mjete në mënyrë të dobishme, të sigurt dhe të përgjegjshme, duke e përshtatur procesin mësimor me ndryshimet e shpejta teknologjike.
 
FARIJE DAUTI BAKIU