Maqedoni

Rasti "Ristov", vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve

08.10.2026 15:31

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin kundër gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, dëshmuan dy prindërit e tij...

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin kundër gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, dëshmuan dy prindërit e tij. Në deklarimet e tyre, ata theksuan se paratë e gjetura në shtëpinë e tyre në Negotinë u përkasin atyre si pasojë e punës shumëvjeçare në bujqësi. Duke pasur parasysh se ekspertiza nuk ka gjetur gjurmë nga prindërit e të akuzuarit në paratë e konfiskuara, prokurorja Iskra Haxhi Vasileva, tha se dëshmitë e tyre nuk përputhen dhe nuk mbështeten nga provat e tjera materiale dhe dëshmitë e siguruara në lëndë.
 
“Ata folën dhe dëshmuan për ngjarje dhe fakte, por ato nuk gjejnë asnjë mbështetje në provat dhe materialet e tjera të siguruara. Por, e përsëris, bëhet fjalë për prindër. Aty margjina e besueshmërisë dhe emocioneve është e qartë, bëhet fjalë për prindër dhe fëmijë.”, - deklaroi prokurorja publike, Iskra Haxhi Vasileva.
 
Në seancën e sotme dëshmoi edhe një punonjës i MPB-së nga Negotina, i cili ishte i pranishëm gjatë bastisjes. Prokurorja vlerësoi se, dëshmia e tij nuk përmbante prova relevante që do ta rrëzonin tezën e Prokurorisë apo do të dëshmonin në favor të mbrojtjes. Në anën tjetër, avokati Zvonkо Davidoviq tha se dëshmia e kriminalistit ngre pikëpyetje lidhur me mënyrën se si është kryer kontrolli.
 
“Krim-tekniku tha se nuk kanë përdorur pajisje mbrojtëse, se nuk janë marrë strisha dhe gjurmë si masë kontrolli për kontaminimin e gjurmëve. Më 29 të muajit dhjetor, Gjoko Ristov ka qenë i pranishëm dhe ka ndihmuar gjatë kontrollit të atëhershëm dhe ka lënë gjurmë të ADN-së. Ekspertët tanë do t’ju shpjegojnë pse mungojnë disa gjurmë, pse ka gjurmë të tjera dhe si është manipuluar.”, - theksoi avokati, Zvonko Davidoviq.
 
Davidoviq paralajmëroi gjithashtu se eksperti financiar i mbrojtjes do të shpjegojë origjinën e parave dhe mënyrën se si, sipas tij, prindërit e Gjoko Ristovit i kanë fituar ato.
 
FLORIJE KAMBERI