Maqedoni

Sofje, takimi Mucunski – Çamova, Kos: Çdo takim jep rezultat

08.10.2026 15:49

Takimin e pasdites mes dy ministrave të Jashtëm fqinj Kos e vlerëson si një hap të mbarë dhe se çdo lidhje si Korridori 8...

Takimin e pasdites mes dy ministrave të Jashtëm fqinj, Mucunski dhe Çamova, eurokomisionerja për zgjerim Marta Kos e vlerëson si një hap të mbarë dhe se çdo lidhje si Korridori 8, e avancon përafrimin e shteteve. Shtoi se sukseset vijnë nga hapat e vegjël, ndërkaq në pyetjen gazetareske se çka mund të sjellë takimi mes dy kryediploamtëve, atij maqedonas dhe bullgar, Kos tha se me rëndësi të madhe është të krijohen horizonte për të ardhmen.
 
“Lidhet me ndërtimin e besimit, jemi në rrugë të mbarë dhe në rrugë të bashkëpunimit në fushat ku është e mundur dhe ndoshta kjo do të na hap dyert për bashkëpunim kufitar. Është me rëndësi se bazohet ne bashkëpunimin evropian rajonal dhe për këtë është korridori 8 dhe gjithashtu për fqinjësi të mirë. Shumë shtete e ndajnë historinë dhe është mirë se ne e njohim këtë, por të krijojmë horizont për të ardhmen, çka ne mund të arrijmë së bashku. Nga ky shqyrtim t’i sjellin vendet bashkë në këtë korridor, kemi dy vende kandidate, RMV-në, Shqipërinë, Bullgarinë si anëtare, mund të shtosh Rumaninë, Greqinë, Italinë, Kosovën dhe kjo është se si aktualisht shihet projekti evropian. Ndonjëherë hapat janë të vegjël, por në fund rezultati është i mirë.”, - deklaroi eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
 
Mucunski: Jemi proaktiv, por vendimi s’varet tërësisht nga ne
 
Ndërkohë, ministri Mucunski tha se për mosmarrëveshjen me Bullgarinë vendi ynë do të jetë proaktiv, por se rezultati nuk varet i tëri nga ne. Theksoi pritshmëritë që zgjerimi i BE-së të vazhdojë me vendim të të gjitha vendeve anëtare. 
 
“Çështja jonë më e madhe si komb është që rruga jonë drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit të plotë të vlerësohet mbi bazën e meritës dhe të mos pengohet nga historia ose e kaluara. Shpresojmë që kushtet të jenë të tilla… Zgjerimi është dhe gjithmonë ka qenë vendim politik me konsensus të vendeve anëtare. Ne do të jemi të përgjegjshëm, proaktiv në gjetjen e zgjidhjes së çështjes, por zgjidhja asnjëherë nuk varet plotësisht nga ne.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. 
 
Çamova: Qëndrim i qartë, shpresojmë në vullnetin e RMV-së
 
Ndërkohë, ministrja e Jashtme bullgare, Velisllava Çamova, thotë se Sofja ka qëndrim të qartë për integrimin e RMV-së, duke shpresuar që kjo e fundit të paraqesë dëshirë  për progres. Foli edhe për rastin e Iva Mihajllovës.
 
“Ne e kemi ngritur në mënyrë aktive çështjen e nevojës që rasti të zgjidhjet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të garantohet shëndeti i Ivës. Informacionet diplomatike nga RMV-ja për gatishmërinë për të organizuar një konsilium mjekësor në të cilën përfshihen edhe mjekë bullgarë, është një hap i rëndësishëm.”, - u shpreh ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova Çamova.
 
Deklaratat u dhanë para takimit bilateral, respektivisht në konferencës   ndërkombëtare për korridorin 8, organizuar në një panel të lartë në Sofje.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU