Maqedoni

Gjykimi "Lotaria Shtetërore", VLT terminalet nuk u vunë asnjëherë në funksion

08.10.2026 16:06

Në procesin gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore” dëshmoi Aleksandar Andonov..

Në procesin gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore” dëshmoi Aleksandar Andonov, drejtor i Sektorit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Lotarinë Shtetërore.
 
Andonov, i cili ishte anëtar i komisionit që zhvilloi procedurën për furnizimin me terminale VLT, shpjegoi se komisioni përbëhej nga gjashtë anëtarë dhe ishte ndarë në dy grupe. Njëri kontrollonte dokumentacionin e ofertuesve, ndërsa komisioni teknik verifikonte nëse pajisjet i plotësonin kërkesat e përcaktuara në specifikimet teknike. Sipas dëshmitarit, pas publikimit të dokumentacionit në Byronë e Prokurimit Publik, për shkak të vlerës së lartë të prokurimit, procedura ishte përfshirë edhe në kontroll administrativ.
 
Pika kryesore e dëshmisë së tij ishte se terminalet e blera nuk u përdorën asnjëherë. Për mbrojtjen e të akuzuarit, Artan Grubi, dëshmia në fjalë e ka vërtetuar teorinë e tyre.
 
“Dëshmia e dëshmitarit të sotëm e konfirmoi teorinë tonë të rastit, se Artan Grubi nuk ka pasur asnjë përfshirje në procedurën e prokurimit publik dhe në funksionimin e Lotarisë Shtetërore. Dëshmitari shpjegoi se si funksiononte procedura e prokurimit publik, cilat veprime ishin ndërmarrë dhe çështje të tjera të ndërlidhura. Asgjë nga dëshmia e tij nuk na preku apo nuk solli diçka që do të ishte në kundërshtim me teorinë tonë të rastit.”, - deklaroi avokati, Goce Ristevski.
 
Në bankën e të akuzuarve në këtë rast janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, dhe gjashtë të akuzuar të tjerë.
 
FLORIJE KAMBERI