Mjekët: Pa panik për BCG-në, infektimi i kockave është shumë i rrallë

08.10.2026 16:39

Jo çdo fëmijë që ka marrë vaksinën...

Jo çdo fëmijë që ka marrë vaksinën për mbrojtje nga tuberkulozi BCG nga seria e dyshuar do të ketë reaksione anësore, qetësojnë mjekët. Infeksioni i kockave është një komplikim i rrallë, por prindërit duhet të jenë të kujdesshëm.

Nëse vërejnë ënjtje ose dhimbje te fëmija, rekomandohet të kërkohet ndihmë mjekësore dhe të bëhen kontrollet e nevojshme.

Reaksionet më së shpeshti shfaqen 12 deri në 16 muaj pas imunizimit, por nuk përjashtohet mundësia që të shfaqen edhe pas moshës dyvjeçare.

“Nëse ekziston ndonjë dyshim se fëmija ka ënjtje në këmbë ose në dorë, nëse ënjtja është e dhimbshme dhe ka kufizim të lëvizjes së gjymtyrës, nëse e kursen këmbën ose çalon gjatë ecjes, atëherë duhet të kërkohet ndihmë mjekësore. Por, nuk ka vend për shqetësim, sepse kjo nuk do të thotë se çdo fëmijë që e ka marrë vaksinën duhet të bëjë ekzaminime apo incizime.”, - deklaroi drejtorja e Klinikës për Sëmundje të Mushkërive – Kozle, Katerina Boshkovska.

Imunizimi do të vazhdojë pasi të mbërrijnë vaksinat BCG, që autoritetet shëndetësore i kanë siguruar nga Japonia. Mjekët thonë se edhe nëse imunizimi shtyhet për disa javë, nuk ka vend për shqetësim.

Maqedonia e Veriut është vend me incidencë të ulët të tuberkulozit, me rreth 150 raste në vit. Çdo vit rreth 15 mijë të porsalindur marrin vaksinën BCG para se të largohen nga materniteti.

Vaksina e prodhuesit bullgar është përdorur në vend për më shumë se dy dekada. Përveç një raportimi për reaksion lokal, gjatë viteve të fundit nuk janë evidentuar efekte të tjera anësore. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)