Shoqata “EZRA” diskutim për vetëdijesimin rreth kancerit të gjirit

08.10.2026 21:00

Shoqata “EZRA” organizoi panel diskutim kushtuar rritjes së vetëdijesimit dhe mbështetjes në luftën kundër kancerit të gjirit.

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit Tetori Rozë, shoqata “EZRA” organizoi panel diskutim kushtuar rritjes së vetëdijesimit dhe mbështetjes në luftën kundër kancerit të gjirit. Me këtë rast, Liridona Beqiri nga shoqata “EZRA” theksoi se nëna e saj e ka humbur betejën me kancerin e gjirit, pasi ajo e kishte zbuluar se ishte e prekur nga kjo sëmundje në fazë të avancuar. Beqiri tha se fatkeqësia familjare ka ndikuar që të nisë këtë mision. Por, për dallim nga viti 2006 kur nëna e saj ishte e prekur nga kjo sëmundje, për të cilën kishte më pak informata dhe kushte jetësore për trajtim, aktualisht ekzistojnë të gjitha mundësitë për zbulim të hershëm të kësaj sëmundje, thotë Beqiri.   
 
“Asnjëherë nuk është mjaft sado që të arrihet, e dimë se përballemi me sfida të shumta në skemën shëndetësore, duhet të punohet ende shumë. E di se pritja në rast të kësaj sëmundjeje ka çmim të lartë, ajo është jeta e njerëzve. Apeli im te të gjithë ju është ta largoni frikën, të mos i prolongoni kontrollet preventive te mjeku, sepse në betejën e përgjithshme me këtë sëmundje informimi i opinionit është segment shumë i rëndësishëm. Kontrolli duhet të na bëhet rutinë e pa kompromis.”, - theksoi Liridona Beqiri nga shoqata “EZRA”.
 
Kanceri i gjirit prekë edhe meshkujt dhe nuk zgjedh as moshë, u tha nga të pranishmit në panel diskutim. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)