Rajon
Gruda: Specialja duhet ta zbatojë ligjin e Kosovës
09.10.2026 11:21
Gruda ka deklaruar se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është hartuar në mënyrën më të mirë të mundshme...

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është hartuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe, sipas tij, nuk cenon as Kushtetutën e Kosovës dhe as detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin në lexim të parë më 5 tetor, me 91 vota për. Në një reagim në Facebook, Gruda është ndalur veçanërisht te çështja nëse Dhomat e Specializuara në Hagë do ta zbatojnë ligjin e ri.
“Është ngritur me të drejtë një shqetësim: a do ta zbatojë Gjykata Speciale këtë ligj?”, - ka shkruar Gruda.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara deri më tani kanë treguar se janë të gatshme të interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës në mënyrën e tyre, ndaj ai pret që të ketë kundërshtime edhe ndaj zbatimit të ligjit të ri.
“Por pyetja është: A mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë? Po. Absolutisht po.”, - ka deklaruar Gruda.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do ta gjejnë rrugën juridike dhe institucionale për të kërkuar zbatimin e ligjit.
“Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë”, - theksoi ai.
