Botë

Francë, valë protestash për problemet në arsim, u arrestuan 6.600 nxënës dhe u mbyllën 375 shkolla

09.10.2026 13:52

Një valë e madhe protestash ka shpërthyer në Francë, ku dhjetëra mijëra nxënës dhe studentë kanë dalë në rrugë...

Një valë e madhe protestash ka shpërthyer në Francë, ku dhjetëra mijëra nxënës dhe studentë kanë dalë në rrugë, duke kërkuar kushte më të mira në arsim, financim shtesë dhe ndërhyrje urgjente për përmirësimin e shkollave. Në sheshin Bastille në Paris dhe në qytete të tjera të vendit, protestuesit kanë bllokuar hyrjet e qindra shkollave të mesme, ndërsa në disa raste përplasjet me policinë kanë degjeneruar në dhunë. Sipas autoriteteve, rreth 71.500 persona morën pjesë në protestat e së enjtes, ndërsa mbi 6.600 nxënës janë arrestuar ose ndaluar që nga fillimi i protestave, shumica dërrmuese të mitur. Ministria franceze e Arsimit njoftoi se 375 shkolla janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht për shkak të kushteve të papërshtatshme. Nxënësit paralajmërojnë masa radikale nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
 
“Ne kërkojmë 10 miliardë euro. Këto para nuk kërkohen për ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por thjesht që të mund të mësojmë në kushte normale, që çdo klasë të ketë një mësimdhënës dhe që ndërtesat shkollore të rinovohen e të përshtaten me sfidat e ndryshimeve klimatike. Për sa kohë që nuk i kemi këto 10 miliardë euro, do të vazhdojmë mobilizimin. Nuk do të ndalemi. Përkundrazi, protestat do të zgjerohen gjithnjë e më shumë.”, - deklaroi Marius Mesnil nga Unioni Sindikal i nxënësve të shkollave të mesme.
 
“Dritaret nuk mund të mbylleshin, nuk kishte ngrohje, muret e shkollës përmbyteshin kur binte shi, kështu që nuk mund të shkonim më në katin e sipërm. Kam parë edhe buburreca pranë hyrjes së shkollës... Këto nuk janë kushte në të cilat duhet të mësojmë, sepse jemi në Francë dhe ky vend ka mjete financiare – ato thjesht nuk ndahen për nxënësit e shkollave të mesme.”.
 
“Kam studiuar në shkollën e mesme “Le Corbusier” në Aubervilliers dhe... po, është e vërtetë që herë pas here kishim mësimdhënës që mungonin dhe nuk zëvendësoheshin, kështu që në disa lëndë mbeteshim prapa të tjerëve. Kishte shumë probleme të tilla, madje edhe kushtet ndonjëherë... nuk kishim ngrohje, nuk kishte letër higjienike në tualete – shumë gjëra të tilla që, me kalimin e kohës, vërtet bëhen të vështira për t’u përballuar.”.
 
Tensionet janë shtuar edhe për shkak të reagimit policor ndaj protestave. Të hënën, një nxënës 15-vjeçar humbi njërën dorë pasi policia përdori një granatë trullosëse gjatë një përplasjeje në Lens. Pas incidentit dhe kritikave për përdorimin e forcës, Qeveria pezulloi përdorimin e këtyre mjeteve në kuadër të protestave. Kriza zhvillohet në një kohë kur Franca po diskuton buxhetin për vitin 2027. Projektbuxheti parashikon një rritje prej 1.4 për qind të financimit për arsimin, i cili do të arrinte në 90.9 miliardë euro. Megjithatë, mbetet e hapur çështja nëse këto mjete do të mjaftojnë për të përmbushur kërkesat e nxënësve.
 
FARIJE DAUTI BAKIU