Maqedoni

Jemen, përshkallëzohen luftimet, rreth 270 të vrarë brenda 24 orëve

09.10.2026 15:06

Rreth 270 persona besohet se janë vrarë brenda 24 orëve në Jemen...

Rreth 270 persona besohet se janë vrarë brenda 24 orëve në Jemen, pas kundërofensivës së nisur nga forcat e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, me synimin për të rimarrë territoret e pushtuara nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani. Mes viktimave raportohet se ka ushtarë qeveritarë dhe luftëtarë Huthi. Në qytetin e Taizit, një nga zonat kryesore të luftimeve, banorët jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të snajperëve dhe bombardimeve me artileri. Sipas Kombeve të Bashkuara, përshkallëzimi i luftimeve ka zhvendosur rreth 200 mijë persona që nga muaji gusht. Pasojat e konfliktit ndihen edhe në shkolla, ku fëmijët përpiqen të vazhdojnë mësimin mes të shtënave dhe shpërthimeve. Disa prej tyre thonë se kanë frikë, por nuk duan të heqin dorë nga arsimimi.
 
“Jemi të tmerruar, por duam edhe të arsimohemi. Na pëlqen të mësojmë.”, - tha një nxënës në Taiz.
 
I pyetur se nga çfarë ka frikë, një nxënës përgjigjet:
“Nga të shtënat. Janë shumë të forta. Mund t’i dëgjosh shumë pranë shkollës sonë dhe shtëpisë, sepse shtëpia jonë është afër zonës së Huthëve.”.
 
Për disa fëmijë, rreziku nuk kufizohet vetëm te rruga për në shkollën “Rafeef”, një tjetër nxënëse, tregon se një predhë mortaje shpërtheu pranë shtëpisë së saj, ndërsa ajo dhe vëllai ndodheshin brenda.
 
“Një predhë mortaje ra kur ishim në shtëpi. Të gjithë kishin dalë, përveç meje dhe vëllait tim. Pastaj, papritur, erdhi predha. Por, shpërtheu menjëherë jashtë. Ndërsa copëzat depërtuan përmes derës dhe hynë brenda në shtëpi.”, - tha një nxënëse në shkollën “Rafeef”.
 
Ndërsa luftimet vazhdojnë në disa zona të vendit, civilët, veçanërisht fëmijët, mbeten të ekspozuar ndaj dhunës dhe zhvendosjes. Për mijëra familje, vazhdimi i jetës së përditshme dhe i shkollimit është bërë gjithnjë e më i vështirë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU