Botë
Gazë, vazhdojnë sulmet dhe shkatërrimet, Erdogan kërkon llogaridhënie ndërkombëtare
09.10.2026 15:07
Një seri sulmesh ajrore izraelite kanë goditur disa zona të Rripit të Gazës...

Një seri sulmesh ajrore izraelite kanë goditur disa zona të Rripit të Gazës, duke shkaktuar dhjetëra viktima e të plagosur dhe shkatërrime të mëdha në banesa. Ushtria izraelite kishte njoftuar civilët për evakuim vetëm pak minuta para bombardimeve. Në lagjen Sabra të qytetit të Gazës dhe në zonën Qizan al-Najjar të Khan Younisit, u vranë disa civilë. Ndërkohë, palestinezët vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre nën rrënoja. Mes tyre është edhe 60-vjeçari Mohammed Hamdi Al-Zaitouna, i cili humbi gruan dhe fëmijët, ndërsa nëntë familjarë të tjerë ende nuk janë gjetur.
“Ku janë? Nuk e di. Në atë moment ishin poshtë. Pyes veten: a ishin në dhomën e gjumit, në kuzhinë apo në sallon? Nuk e di ku ishin. Punonjësit e shpëtimit thonë se ka të ngjarë që shpërthimi i fuqishëm t’i ketë shkatërruar plotësisht trupat. Varret i kam përfunduar. Janë gati. Por, ende janë bosh sepse trupat nuk i kam gjetur.”, - tha një banor i Gazës, Mohammed Hamdi Al-Zaitouna.
Pasojat e luftës rëndojnë edhe mbi gazetarët palestinezë. Sipas Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë, më shumë se 266 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i luftës, ndërsa mbi 370 institucione dhe zyra mediatike janë shkatërruar.
“Ne i humbëm shtëpitë tona, ashtu si banorët e tjerë të Gazës. Humbëm pajisjet dhe shumë miq e kolegë. Por, raportimi vazhdoi dhe zëri i Gazës vazhdoi të dëgjohej në mbarë botën. Jetojmë nën presion dhe dëshmojmë skena që njeriu mezi mund t’i përballojë: vdekje, shkatërrime dhe masakra.”, - u shpreh fotoreporteri, Bilall Fouad.
Gjatë Samitit Ndërkombëtar të Drejtësisë në Stamboll, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, tha se Turqia nuk do t’i braktisë palestinezët dhe kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për mungesën e llogaridhënies.
“Gaza është shndërruar në kampin më të madh të përqendrimit në botë nga një rrjet gjenocidal, arrogant, radikal dhe i pangopur për vrasje, i cili e konsideron veten mbi të drejtën ndërkombëtare. Kjo është një sprovë për njerëzimin në mbarë botën. Është një sprovë e sinqeritetit për të gjithë ne. Turqia mund të përballet me vështirësi, nëse është e nevojshme, por nuk do t’ua kthejë shpinën njerëzve që kanë shpresat te ne dhe që i janë nënshtruar padrejtësisë. Askush nuk mund të pretendojë se sistemi ndërkombëtar është i drejtë, për sa kohë që përgjegjësit për gjenocidin në Gazë nuk mbahen përgjegjës para ligjit.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Ndërsa sulmet vazhdojnë dhe rindërtimi mbetet i bllokuar, civilët palestinezë përballen me pasigurinë e përditshme, kurse kërkesat për mbrojtjen e popullsisë dhe përgjegjësisë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare mbeten në qendër të thirrjeve ndërkombëtare.
FARIJE DAUTI BAKIU
