Maqedoni

Ministria e Ekonomisë kundër shkurtimit të festave

09.10.2026 15:13

Ministria e Ekonomisë dhe Punës nuk e mbështet shkurtimin e listës së festave shtetërore dhe fetare që qytetarët i festojnë prej vitesh në vend....

Ministria e Ekonomisë dhe Punës nuk e mbështet shkurtimin e listës së festave shtetërore dhe fetare që qytetarët i festojnë prej vitesh në vend. Në një deklaratë për TVM2, ministri Besar Durmishi tha se deri më tani ministria nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë kërkesë nga odat ekonomike për ndryshimin e listës së festave. Megjithatë, ai thekson se nuk sheh arsye që të cenohen të drejtat e fituara të punëtorëve.
 
“Normalisht se këto tema do t’i diskutojmë edhe në Këshillin Ekonomik-Social, por ne si ministri, qëndrimi ynë është që ato të drejta të cilat i kanë fituar deri tani punëtorët, sa i përket festave, qoftë shtetërore, fetare  apo etnike, ne nuk do të ndërhyjmë që asnjë festë prej tyre të cenohet ose të dëmtojmë asnjë qytetar, dhe t’ua ndalojmë që të festojnë atë festë. Ne nuk do të hyjmë në këtë fushë.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Disa ditë më parë, Oda Ekonomike paralajmëroi se do t’i propozojë Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës ndryshime në Ligjin për Festat. Oda kërkon që numri i ditëve jopune të ulet në mënyrë indirekte në 13, si dhe që festat që bien të dielën të mos barten më në ditën e hënë. Kjo çështje pritet të diskutohet edhe në mbledhjen e Këshillit Ekonomiko-Social, e caktuar për më 19 tetor. Megjithatë, ministri Durmishi shprehet se të drejtat e fituara të punëtorëve nuk duhet të cenohen. Këtë vit janë paraparë gjithsej 27 ditë jopune, por jo të gjitha vlejnë për çdo qytetar. Për të gjithë qytetarët vlejnë 11 ditë të përbashkëta jopune, prej të cilave gjashtë janë festa shtetërore dhe pesë festa të Republikës.
 
REXHEP QAMILI