Maqedoni
Politikë, paga minimale, përplasje mes partive
09.10.2026 16:15
LSDM-ja akuzoi pushtetin dhe partitë e tjera se nuk e mbështetën propozimin për pagë minimale prej 600 eurosh....

LSDM-ja akuzoi pushtetin dhe partitë e tjera se nuk e mbështetën propozimin për pagë minimale prej 600 eurosh. Bogdanka Kuzeska nga LSDM, tha se për propozimin votuan vetëm deputetët e LSDM-së dhe koalicionit, ndërsa deputetët e VMRO-DPMNE-së, partisë "E di" dhe VLEN-it nuk votuan pro. Në sallë nuk ishin të pranishëm as deputetët e partisë E Majta dhe të BDI-së. Kuzeska veçoi partinë E Majta, duke e akuzuar se i ka tradhtuar premtimet për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe rritjen e pagës minimale. Ajo pretendoi se bashkëpunimi i kësaj partie me struktura të tjera politike synon dobësimin e opozitës dhe mbajtjen e pushtetit aktual.
“Para zgjedhjeve premtuan pagë minimale në nivelin e dy të tretave të shportës sindikale të konsumit, pagë mediane, pagesën e pagës nga data 1 deri më 7 të muajit, mëditje të dyfishtë për punë gjatë fundjavave dhe festave, si dhe heqjen e privilegjit për paga mbi 10.000 euro. Kur erdhi në rend dite ligji për pagë minimale prej 600 eurosh, E Majta nuk votoi. Punëtori nuk i paguan faturat me parulla dhe programe të rreme.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE-ja i hodhi poshtë kritikat, duke deklaruar se paga minimale rritet në bazë të ligjit që LSDM-ja dhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e miratuan bashkërisht para disa vitesh. Qëndrimi ynë është i qartë: le të merren vesh sindikatat me punëdhënësit dhe gjithçka që do të dakordojnë ata, Qeveria do ta pranojë, thonë nga VMRO-DPMNE.
“Paga minimale po rritet me ligjin që Lidhja Socialdemokrate dhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e miratuan bashkërisht para disa vitesh dhe e prezantuan si një fitore të madhe për punëtorët. Kështu, pagat vazhdojnë të rriten dhe rritja e tyre është reale në raport me inflacionin. Inflacioni është më i ulëti në rajon, madje do të thoja edhe në Evropë. Gjatë muajve të fundit, ai ishte 2.5, 2.6 apo 2.7 për qind, ndërsa rritja ekonomike është mbi 4 për qind. Në tremujorin e fundit, rritja ekonomike ishte 4.2 për qind.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Nga partia shtojnë se Qeveria ka lidhur marrëveshje kolektive me 99 për qind të administratës publike, duke vlerësuar se gjendja sot është dukshëm më e mirë se para dy vitesh.
FLORIJE KAMBERI
