Maqedoni

Nikollovski në Mal të Zi, paralajmëron linjë ajrore Shkup - Podgoricë

09.10.2026 16:39

Nikollovski po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku ka realizuar takime me kreun shtetëror malazez..

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku ka realizuar takime me kreun shtetëror malazez, përfshi kryeministrin Millojo Spahiq dhe ministrin e Transportit, Zeçeviq. Në takim është bërë fjalë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, në funksion të së cilit është ndërtimi i autostradës Shkup - Bllacë, që nënkupton edhe hapjen e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet Kosovës, drejt një porti të tretë, atij të Tivarit në Mal të Zi. 
 
“Biseduam për lidhshmërinë, tanimë kemi filluar ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, që nënkupton hapjen e Maqedonisë ndaj portit të tretë, portit të Tivarit, përveç portit të Selanikut, ku kemi edhe autostradë edhe rrugë hekurudhore dhe portit të Durrësit, ku aktualisht po punohet në ndërtimin e autostradës dhe rrugës hekurudhore. Po ashtu folëm edhe për lidhje ajrore, përkatësisht me aeroplan dhe pres që për një kohë të shkurtër të nënshkruajmë marrëveshje që nënkupton lidhje direkte ndërmjet Shkupit dhe Podgoricës, me çka do të lidhemi edhe me një kryeqendër.”, - deklaroi  ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
 
Kjo do të ndihmojë ndjeshëm zhvillimin e turizmit, por edhe të biznesit dhe të ndërlidhjes ndërmjet dy shteteve, vlerëson ministri Nikollovski.
 
GYLTENE SINANI