Botë
Indi, eskalon protesta, 200 të arrestuar: opozita akuzon për vjedhje votash
10.10.2026 14:13
Përplasje, ndalime dhe masa të jashtëzakonshme sigurie...

Përplasje, ndalime dhe masa të jashtëzakonshme sigurie në kryeqytetin indian, Nju Delhi, ku policia ka ndërhyrë me forcë ndaj protestuesve që kundërshtojnë Komisionin Zgjedhor. Mbi 200 persona raportohet se janë arrestuar, ndërsa efektivët kanë ndjekur demonstruesit në rrugë dhe i kanë futur në automjete policie.
Protesta është nxitur nga akuzat e opozitës se rishikimi i listave zgjedhore mund të përjashtojë miliona qytetarë nga e drejta e votës dhe të favorizojë partinë në pushtet të kryeministrit Narendra Modi.
Mes të ndaluarve raportohet se ka edhe gazetarë, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për kufizimin e protestave paqësore.
“Ne po qëndronim krejtësisht në mënyrë paqësore. Erdhi policia dhe na ndaloi. Na pyetën se si mund të qëndronim aty, ndërkohë që ishim vetëm dy persona. Një police më kapi për dore, më shtrëngoi dhe më solli këtu. Ky është realiteti”, deklaroi protestuesja.
“Po ecja drejt tempullit të gurdvarës dhe po kaloja rrugën, sepse doja të fotografoja policët me uniformë. Ata menduan se isha protestues. U thashë se thjesht po mbështesja protestën, por më morën me vete”, u shpreh protestuesi Karan Desai.
“Edhe qytetarët kanë filluar të kuptojnë se votat e tyre po shpërdorohen, se votat e tyre po vidhen. Në një vend demokratik, vlera jote qëndron te vota. Kur të vidhet kjo vlerë, çfarë vlere të mbetet më? Opozita e ka ngritur këtë çështje madhore të vjedhjes së votave dhe qytetarët e kanë kuptuar gjithashtu. Sot të rinjtë kanë dalë në rrugë. Këtu të gjithë janë të arsimuar”, theksoi avokati Vinod Ranga.
Ndërsa opozita kërkon dorëheqjen e kreut të Komisionit Zgjedhor, Gyanesh Kumar, institucioni i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se rishikimi i listave synon eliminimin e regjistrimeve të dyfishta dhe të votuesve që nuk plotësojnë kriteret ligjore.
Policia thotë se masat janë marrë për ruajtjen e rendit publik, por Amnesty International ka dënuar kufizimet ndaj protestuesve paqësorë.
Përplasja për listat zgjedhore po thellon tensionet politike në vendin me 1.4 miliardë banorë, ndërsa mbetet e hapur çështja nëse autoritetet do t'u përgjigjen kërkesave të opozitës dhe shqetësimeve për të drejtën e votës.
FARIJE DAUTI BAKIU
