Maqedoni

LSDM-ja kritikon ribalancin e buxhetit

10.10.2026 14:31

LSDM-ja opozitare ka reaguar ashpër ndaj ribalancit të buxhetit që është në proces...

LSDM-ja opozitare ka reaguar ashpër ndaj ribalancit të buxhetit që është në proces, duke akuzuar qeverinë për menaxhim të papërgjegjshëm të parave të qytetarëve. Përmes një komunikate, socialdemokratët theksojnë se të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore po ulen me rreth 86 milionë euro, ndërsa deficiti mbetet në 4,1 për qind të BPV-së.
 
Sipas LSDM-së, investimet kapitale shkurtohen për rreth 93 milionë euro për shkak të vonesave në realizimin e projekteve.
 
“Ky është ribalanci i dytë i buxhetit brenda katër muajve. Madje është i mundur edhe një i tretë. Ministrja flet për krizën dhe uljen e detyrimeve të derivateve. Por Lindja e Mesme ishte në flakë edhe para ribalancit të parë të buxhetit. Kriza nuk u shfaq dje dhe ky ribalanc nuk  është  për shkak të derivateve, pasi ato kushtojnë mezi 60 milionë euro, ndërsa efekti nga ulja e TVSH-së është zero. Po shkurtohen paratë për rrugë, shkolla dhe spitale. Paratë për kreditë nuk po shkurtohen. Deri në fund të vitit paralajmërohet një obligacion i ri qytetar. Financimi po sigurohet në tregun e brendshëm”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
 
Mickoski, ekonomia është shumë më e mirë se para 3 - 4 vjetësh
 
Por të gjitha këto akuza kategorikisht i hodhi poshtë kryeministri Hristijan Mickoski.  Sipas tij, sot gjendja është shumë më e mirë se para tre-katër vjetësh, ndërsa shprehet i bindur se pas tre-katër vjetësh do të jetë edhe më e mirë për qytetarët. Mickoski shtoi se politikat e tij i mbështet në shifra dhe jo në ndjenja, duke pretenduar se të dhënat flasin në favor të qeverisë aktuale. 
 
“Borxhi publik dhe shtetëror tani është rritur më pak se një miliard e 400 milionë euro, ndërsa Bruto Podhimi Vendor është rritur për 4 miliardë euro, për dallim nga periudha e qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, nga viti 2018 deri në vitin 2023, kur borxhi ishte rritur për 3,7 miliardë euro, ndërsa BPV-ja për 3,9 miliardë euro. Kjo do të thotë se, nëse keni një kompani dhe merrni kredi prej 100 monedhash, gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, nga ato 100 monedha keni arritur të krijoni 106 monedha. Me fjalë të tjera, inflacioni jua ka ngrënë vlerën. Ndërsa me këtë qeveri, nga ato 100 monedha keni arritur të krijoni 250 monedha, përkatësisht 2,5 herë më shumë. Ky është dallimi mes kësaj qeverie dhe qeverisë së mëparshme, e cila e plaçkiti, e shiti dhe e shkatërroi Maqedoninë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Ai theksoi se jo të gjitha problemet mund të zgjidhen menjëherë, por sipas tij, ato po zgjidhen. Mickoski tha se nuk do të pranojë që qeveria aktuale të mbajë përgjegjësi për atë që ai e cilësoi si shkatërrim, kriminalitet dhe shitje të shtetit nga qeveria e mëparshme.
 
Sipas tij dëmtimi sistematik i vendit ka nisur dhjetë vjet më parë, që nga publikimi i materialeve të cilat ai i përshkroi si të fabrikuara dhe të montuara nga ish-kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në vitin 2015. 
 
Ky shtet u shkatërrua sistematikisht për dhjetë vjet nga të njëjtët njerëz, të cilëve nuk u interesonte e mira e shtetit, as atëherë, as sot dhe as në të ardhmen, tha Mickoski.
 
REXHEP QAMILI