Maqedoni

Kumanovë, vijon bllokimi i deponisë "Krasta"

10.10.2026 15:25

Nuk ka debllokim të deponisë Krasta në Kumanovë...

Nuk ka debllokim të deponisë Krasta në Kumanovë, porosisin protestuesit e fshatrave Pçinja, Studena Bara dhe fshatrave përrreth të cilët tash e disa ditë kanë bllokuar deponinë dhe nuk u lejojnë kamionëve të N.P. "Pastrim dhe Gjelbërim" që ti hudhin mbeturinat e grumbulluara në qytet. Protestuesit kërkojnë që të shuhet zjarri në deponinë Krasta që të mundësohet ajri i pastër dhe të gjendet lokacion ri për deponi si dhe zgjidhjen e përhershme të këtij problemi. 
 
“Presim marrëveshje përderisa nuk mbulohet me dhe deponia dhe hiqet tymi. Ne nuk do të tërhiqemi nga bllokada. Presim që edhe nga Ministria e Mjedisit Hapsinor që të vijnë këtu e ta zgjidhim edhe problemin me gurëthyesit që janë në afërsi të drejtpërdrejtë", theksoi Aleksandar Ilievski.
 
Banorët janë këmbëngulës se nuk do të lëshojnë pe nga kërkesat e tyre për ajër të pastër për banorët e fshatit. Ndërkohë deri sa deponia Krasta mbahet e bllokuar qyteti i Kumanovës po ngulfatet në bërllog. Tash një kohë nuk janë bartur mbeturinat nga qyteti përpos disa ditëve kur u dërguan në deponitë e komunave Kratovë dhe Rankovc.
 
"Jemi në gjendje kur nuk kemi ku ti deponojmë mbeturinat, kamionët transportues janë përplot me mbeturina por nuk kemi ku ti zbrazim, edhe kontejnerët nëpër rrugë janë të stërmbushur. Do të shkaktohet problem i madh nëse banorët e fshatit Pçinja nuk na lejojnë që ti zbrazim kamionët në deponinë Krasta", shtoi, Sasho Tomiq, drejtor i N.P. "Pastrim dhe Gjelbërim".
 
Ndërkohë qytetarët e vendbanimeve të ndryshme të komunës ankohen se tash e dy javë nuk janë marrur mbeturinat nga shtëpitë e tyre, në këtë mënyrë shtohet droja se mundet të krijohen deponi të egra nëpër qytet.
 
FATLUM AQIFI